Arrin në 58 numri i denoncimeve për administratën tatimore në numrin jeshil 0800 14 14

58 raste të shkeljes së ligjit apo abuzime tatimore janë denoncuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve pas publikimit të "numrit jeshil" më 10 korrik të këtij viti. Burime zyrtare të DPT-se thanë se pjesa dërrmuese e shkeljeve ka ardhur nga biznesi i vogël, ndërsa për punonjësit e administratës tatimore nuk ka pasur asnjë denoncim. "Nga këto 58 raste janë verifikuar dhe kontrolluar më shumë se 70% e tyre, ndërsa pjesa tjetër është në proces verifikimi", thanë burimet, duke shtuar se nga verifikimi dhe kontrolli i ushtruar në subjektet e denoncuara, nga strukturat pranë Drejtorisë së Hetimit Tatimor në DPT, më shumë se gjysma e tyre rezultojnë me shkelje të ligjit, për të cilat janë zbatuar penalitetet përkatëse bazuar në legjislacionin tatimor në fuqi. Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore, Artur Papajani, në një letër të disa ditëve më parë, drejtuar administratës tatimore dhe biznesit, apelonte për denoncimin e shkeljeve të ligjit dhe të abuzimeve nga ana e inspektorëve tatimorë. Zyra e Denoncimeve nga Publiku funksionon që prej datës 10 korrik të këtij viti, duke i dhënë mundësi publikut të gjerë të ofrojë informacion mbi rastet abuzive të evazionit fiskal dhe korrupsionit nga subjekte tatimpagues apo edhe punonjës të Administratës Tatimore.
...