E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shtëpia e falsifikimit”, në pranga dy mjeshtrit e dokumenteve zyrtare

Sekuestrohen në cilësinë e provës kompjuterët dhe aparaturat. Të ndaluarit dyshohen si pjesë e një rrjeti të madh kriminal

Tiranë – Përfundojnë në qeli dy persona të akuzuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare. Policia zbulon bazën e falsifikimeve. Oficerët e Antikrimit Ekonomik organizuan ditën e sotme një operacion të koduar “Ora e vonë”, i cili u finalizua me arrestimin e 45-vjeçarit Shpëtim Bega dhe 38-vjeçarit Bujar Sallata. Sipas policisë së kryeqytetit, dy personat u kapën në afërsi të “21 Dhjetorit” në Tiranë, sepse posedonim pasaporta bullgare, për të cilat dyshohet se po tentonin t’i falsifikonin së bashku, ndërsa kishin dhe një sasi dokumentesh të dyshuara të falsifikuara. Dy personat u shoqëruan menjëherë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku dhe u morën në pyetje, ndërsa policia ushtroi kontrolle në banesat e tyre. Gjatë kontrolleve policia gjeti dhe sekuestroi një sasi tjetër dokumentesh, të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara.
Sekuestro
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta bullgare, kartë identiteti bullgare, dokumente mjeti italiane, pulla taksash vjetore me vulë të njomë, 20 copë, njësi qendrore, skaner, tre telefona celularë, dy USB etj. Në njësinë qendrore të kompjuterit u konstatuan afro 40 specimente vulash të institucioneve shqiptare. Burime nga policia thanë se hetimet për të goditur këtë grup kishin nisur disa muaj më parë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Dyshohet se dy personat falsifikonin dokumente të ndryshme në favor të qytetarëve, të cilët paguanin më pas një shumë parash. Ndaj tyre është marrë masa e arrestit për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve” e kryer në bashkëpunim.
Fenomeni
Në Shqipëri vepron tashmë një industri e vërtetë e falsifikimit të dokumenteve. Alarmin e dha pak kohë më parë Task-Forca e Prokurorisë së Përgjithshme. Drejtori i këtij organi, Altin Dumani, gjatë analizës vjetore, deklaroi se ky fenomen është mjaft shqetësues. “Nuk e teproj kur them se jemi para një industrie të tërë falsifikimi. Ky fenomen përfshin falsifikimin e pasaportave, patentave, vendimeve të gjykatave, vendimet e pushimit, vendimet e prokurorisë, kartat bankare etj.”. Dumani kërkoi rritjen e bashkëpunimit me Drejtorinë e Doganave dhe të Tatimeve në lidhje me hetimin e këtij fenomeni tepër shqetësues. Më pas, kryeprokurorja, Ina Rama, vlerësoi rezultatet e njësisë së përbashkët hetimore Task-Forcë në luftën kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, si dhe bashkëpunimin mes strukturave përbërëse të kësaj njësie. Gjithashtu ajo theksoi nevojën e zgjerimit të projektit të ngritjes së Task-Forcës edhe në prokuroritë e rretheve të tjera të vendit.

25 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›