Spoti i energjisë: dështimet si sukses
“Ne e zgjidhëm problemin e energjisë elektrike”, - ka thënë disa herë së fundmi Berisha. “Kemi blerë dhe do blejmë edhe më shumë energji, po qe nevoja, që qytetarët dhe bizneset të kenë energji pa ndërprerje”, - është shprehur përmbledhtazi ai. Këtu ka një të vërtetë të madhe. Shqipëria, megjithëse një vend ku energjia elektrike vidhet e shpërdorohet, megjithëse ka një ligj për termo-izolimin, por nuk zbatohet, megjithëse nuk ka pasur asnjë investim për të rritur kapacitetin në linjat e interkoneksionit, përsëri rezulton të jetë e mundur që vendi të ketë energji të mjaftueshme elektrike, thjesht duke balancuar më mirë rezervat hidrike me importin. Importi i energjisë elektrike në këto vite në Shqipëri ka qenë rreth 40% të nevojave të saj. Dhe kjo nuk është situatë e jashtëzakonshme, po t’i referohemi vendeve fqinje, si Maqedonia, Mali i Zi dhe Kroacia, që kanë një import të përvitshëm të energjisë elektrike në nivelet 37%-45%. Importues neto për këtë mall janë dhe fqinjët e BE, Italia dhe Greqia. Ndërsa Franca, Austria, Gjermania, Bullgaria dhe Rumania janë tradicionalisht eksportues neto të energjisë elektrike. Me politikën e adoptuar së fundi “balanco me import” qeveria e Berishës provoi se krizat e njëpasnjëshme të energjisë elektrike në periudhën 2002-2007 kanë ardhur në rastin më të mirë nga një paaftësi e theksuar vendimmarrëse dhe në rastin më të keq nga zbatimi i politikës “krijo errësirë për të futur lehtë në Shqipëri energjinë e zezë”. Ka shumë të ngjarë që të jetë zbatuar kjo politika e dytë. Ja një detaj që tregon shumë. Në takimin me publikun zhvilluar në këtë fillim viti në Durrës për prezantimin e super TEC-it me qymyr në Porto Romano, kryetari i Bashkisë së Durrësit lexoi dhe i dorëzoi përfaqësuesit të ENEL-it, z. Mikele Porri, një pyetje të shkruar: “Pse mungon në studim varianti (i detyrueshëm) pa TEC?” Z. Porry nuk iu përgjigj, por, kur në holl u pyet përsëri se ç’do të ndodhte në rastin kur TEC-i Porto Romanos nuk ndërtohet, ai u përgjigj vetëm me një fjalë: “Darkness” (errësirë). E thënë nga goja e përfaqësuesit të kompanisë ENEL që ka qenë këshilluese (d.m.th., hartuese) e politikave energjitike në Shqipëri pothuaj përgjatë gjithë periudhës së tranzicionit, kjo “errësirë” e tij hedh shumë dritë mbi një korrupsion të paprecedent në sektorin e energjisë. Por pararoja e industrisë fosile dhe krenaria zhgënjyese mbetet TEC-i i Vlorës. Një paqe e madhe mbizotëron në vend lidhur me energjinë elektrike që kur reagimi qytetar kundër TEC-it të Vlorës thuajse pushoi (më saktë, u detyrua të pushojë) dhe TEC-i filloi të hidhte shtat. TEC-i i Vlorës tashmë u bë objekt elektoral, shiriti i inaugurimit do pritet nga Sali Berisha disa ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Ky është dhe suksesi i parë dështak e korruptiv në sektorin e energjisë i qeverisë Berisha. Vetë Berisha ka thënë para pak muajsh: “TEC-i i Vlorës po ndërtohet, ashtu si dhe linjat e interkoneksionit, por unë jam në favor të linjës së interkoneksionit”. Korrupsioni me TEC-in e Vlorës nuk është si i Gërdecit. Ai në vend të shpërthimit do shprehet me “heshtjen” e tij. Ai shpejt do grasatohet duke kaluar në proces konservimi. Dhe ja pse. Fisibiliteti i tij është mbështetur me çmimin e naftës në vitin 2002, që ka qenë rreth 20 USD për fuçi. Projekti parashikonte një çmim të energjisë së prodhuar prej këtij TEC-i prej 52 USD për MWh. Aktualisht, çmimi i naftës është vetëm dyfish i vitit 2002, por OPEC parashikon që në një situatë normale çmimi i naftës duhet të jetë jo më pak se 80 USD për fuçi. Kjo përkthehet në rastin e TEC-it të Vlorës se çmimi për një MWh duhet të jetë mbi 100 USD. Aktualisht, KESH po blen energji me 42 euro për MWh. Nëse i referohemi çmimit të energjisë në treg edhe në periudhën kur çmimi i naftës kaloi mbi 100 USD për fuçi, rezulton që ai të jetë rreth 60 euro për MWh. Nëse çmimi shkon 100 USD për fuçi, qeverisë që të mbajë në punë TEC-in me naftë D1 do t’i duhet të shpenzojë vetëm për naftën rreth 200 milionë USD në vit. Jo rastësisht në faqen e internetit të KESH faqja për TEC-in e Vlorës është e bardhë. KESH nuk guxon të bëjë publike asgjë për këtë vatër korrupsioni.
Me fillimin e gjenerimit të energjisë prej HEC-it të Kalivaçit dhe HEC-eve të tjerë të vegjël e të mëdhenj, ku çmimi nuk i kalon 30 USD për MWh vetëkuptohet se TEC-i i Vlorës nuk mund të jetë gjë tjetër veçse një relike fosile.
TEC-i i Vlorës është dështim edhe në faktin se ka shkelur Konventën ndërkombëtare të Aahrusit. Në takimin e shteteve anëtare të Konventës më 11-13 qershor 2008 në Riga u miratua vendimi (III/6a): “Qeveria e Shqipërisë duke dështuar në rregullimet për të bërë të munduar pjesëmarrjen me publikun që në etapat e hershme të vendimmarrjes për TEC-in e Vlorës, nuk ka qenë në pajtueshmëri me nenin 6, paragrafi 3, 4 dhe 8 të Konventës”.
Nuk mund të mos i kujtojmë Berishës se ai pati premtuar për mos të ndërtuar TEC me naftë në Gji të Vlorës. Pra, ai nuk mund ta quajë sukses mosmbajtjen e një premtimi. Nuk mund të mos i kujtojmë Berishës se, kur thotë e përsërit se TEC-i i Vlorës ndot sa 500 “Benz”-a, mashtron të paktën me 100-fish, pra duhet të thotë se ndot sa 50,000 “Benz”-a, pra këtë verë çdo qytetar i Vlorës duhet të llogarisë ndotjen e zakonshme + ndotjen e 50,000 “Benz”- ave (ekuivalent i TEC-it).
Suksesi tjetër i pasqyruar në spotin e energjisë është puna e mirë që po bën qeveria me HEC-et. Në thelb kemi të bëjmë me një dështim të qeverisë. Është dështim, se në 4 vjet kjo qeveri nuk mundi të shtojë asnjë MW energji nga hidrocentralet. Një shqiptar i mirë me banim në Amerikë pyeste disa kolegë të tij këtu në Shqipëri: “Kush paguan për çdo m3 ujë që shkon në det pa prodhuar energjinë elektrike të projektuar?” Ka 20 vjet që megjithëse shumica e projekteve kanë qenë gati e shumë të tjera janë bërë ndër vitet e tranzicionit dhe akoma nuk është ndërtuar asnjë HEC, as i vogël e as i madh. Kur qeveria Berisha erdhi në fuqi, ishte miratuar dhe çdo gjë ishte gati për hidrocentralin e Skavicës. Dhe që në 2007 Skavica mund të kontribuonte pjesërisht për gjenerimin e energjisë, po të kish patur një qeveri të përgjegjshme. Me dhjetëra do ishin HEC-et e vegjël që do ishin vënë në punë anekënd vendit. Dhe natyrisht do kish filluar të jepte dritë hidrocentrali i Kalivaçit. Prandaj, fillimi i ndërtimit të hidrocentraleve tani është dështim i kësaj qeverie, thjesht se duhej të kishin filluar kohë më parë, madje që kur Berisha ishte president. Dhe për këtë vonesë së paku Berisha duhet t’iu kërkoj falje shqiptarëve.
Super-dështimi i qeverisë Berisha është ai i miliardave investime për parqet e erës, ku siç është bërë e ditur nga marrëveshja surprizë me Berluskonin parku më i madh eolik në Evropë me kapacitet 500 MW do u ndërtoka në Karaburun dhe që kushtoka mbi 1 miliard euro. E çuditshme është se në faqe të internetit të ministrisë përkatëse, si dhe të KESH për këtë gjigant energjitik më i madhi në Evropë, nuk ka asnjë fjalë e asnjë shifër. Mund të jetë e vërtetë që Berisha të ketë harruar se iu ka thënë dukatasve në 2005 që Karaburuni është i dukatasve, por është plotësisht e vërtetë, që dukatasit, zotëruesit prej shekujsh të Karaburunit, nuk ia kanë shitur zotërimet e tyre kurrkujt në jetë të jetëve, veçse i kanë trashëguar ato brez pas brezi me kufij përpikmërisht të ndarë mes fiseve të Dukatit. Ata thonë se, nëse Sali Berisha ka ndonjë dokument që e ka blerë Karaburunin (një gjë që nuk shitet, nuk mund as të blihet), prej tyre, mund t’ia japë miqve të tij sicilianë të ndërtojnë super-gardhin me mullinjtë e erës (250 copë nga 117 m të lartë). Dështimi i qeverisë Berisha është se nuk mundi të ndërtojë asnjë fermë ere (wind farm) siç po ndërtohen kudo në botë në kohën e sotme. Ja, le të marrim Kroacinë. Në vitin 2005 ndërtoi fermën e parë të erës me kapacitet 5.8 MW, në vitin 2006 fermën e dytë me kapacitet 12 MW dhe tani po ndërton të tretën, më të madhe me 42 MW. Mos vallë mbretëresha e erërave është në Shqipëri, që do u ndërtokan parqe ere më shumë se 10-fishi i kapacitetit të Kroacisë? Jo, jo, thjesht Berisha ka parë ëndërr sikur është pronar i trojeve të Shqipërisë. Sidoqoftë, Berisha duhet monitoruar dhe, nëse prapë ngul këmbë në ëndrrën e tij, ai thjesht duhet shpërfillur nga qytetarët e këtij vendi.