Shtëpia me rrota, premierë në teatrin Skampa
përgatitjet e fundit të veprës Shtëpia me rrota, me autor dhe regjisor Erand Sojlin. Kjo dramë do të ketë premierën e saj sonte në interpretimin e aktorëve Veronika Papa, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi, Rina Narazani, Xhemal Sojli, Hilmi Belshaku, Rezart Veleshnja, Roland Saro. Lojë në presion dhe atmosfere Çehovjane. Njerëz që vegjetojnë dhe fshihen pas gishtit. Personazhe që mendojnë ndryshe dhe veprojnë krejt ndryshe. Një batutë shumë e çuditshme, e çon diku larg spektatorin. Dje isha në Moskë. Kjo është dhe si pikë referimi në një kthim në të shkuarën Shtëpia me rrota është një pjesë që është shkruar 10 vjet me parë dhe është vlerësuar nga kritika dramaturgjike (Josif Papagjoni), për idenë e veçantë që përçon dhe gjetjen e saj origjinale. Vepra nuk identifikon një kohë të caktuar, një vend të caktuar, apo personazhe të caktuara. Autor-regjisori Erand Sojli, i ka përcaktuar qartë këto personazhe, duke i emërtuar me emrat e lumenjve që përshkojnë lindjen. Historia është e njëjtë. Një familje e persekutuar e cila më parë ka qenë pjesë e elitës. Ka kontribuar fuqishëm në vendosjen e sistemit të barazisë, i cili rezultoi të ishte utopi. Kjo familje nuk është një familje si gjithë të tjerat. Ajo ka në themel të saj zhgënjimin, frikën dhe ndarjen e thellë . Personazhet kanë vetëm një drejtim. Të shpëtojnë, ose më keq akoma, mos tu shtohet dënimi në këtë internim. Ata vijnë nga një jetë bllokmenësh dhe janë katandisur në një barakë. Jo pa qëllim autori na jep si pikë referimi Moskën, pasi ajo është simbol i klasikëve, i frymëzimit, i durimit dhe i suksesit. Por edhe i diktaturës me një ndikim aq të fortë sa ndau Botën në Dy pjesë. Nga Moska u nisën të gjitha ëndrrat që u shndërruan në makabritete. Sojli rrëfen se Për rreth një orë e njëzet minuta duhet të mendoni si Lindorë dhe aspak si shqiptarë. Kjo është arsyeja që fjalori i personazheve nuk është zhargon, por ka në thelb të tij politesën. Duke e parë tekstin jo si autor, por si një aktor unë do ta përkufizoja me dy fjalë këtë vepër si shumë të vështirë. Titulli ndryshe do të ishte Shtëpia e dhelprave, sepse personazhet janë të gjithë dinakë. Skenografia është realizuar nga Kastriot Roshi, i cili në bashkëpunim me regjisorin na afron tek simbolet. Degradimi i personazheve jepet nëpërmjet simbolikës së shtëpisë, e cila është konceptuar të jetë një skelet trarësh ku aktorët të mos të kenë hapësira veprimi. Ata do të jetojnë mbi trarë, me litarë që varen. Ngushtë. Shtëpia me rrota vjen me tekst-koncept-regji nga Erand Sojli. Skenografia Kastriot Roshi dhe muzika Edmond Rrapi. Interpretojnë: Veronika Papa, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi, Rina Narazani, Xhemal Sojli, Hilmi Belshaku, Rezart Veleshnja, Roland Saro
Last Updated on E Marte, 27 Prill 2010 19:51