Trajtim psikologjik për të traumatizuarit
Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për trajtim të veçantë për gjendjen psikologjike për të traumatizuarit. Në dispozicion të tyre janë vënë dy ekipe me mjekë psikiatër, punonjës socialë, psikologë dhe infermierë të tre qendrave komunitare të shëndetit mendor. Specialistët po u ofrojnë që prej pesë ditësh mbështetje psikologjike dhe emocionale personave të lënduar nga ngjarja e Gërdecit. Rreth 57 pjesëtarët e këtij ekipi pune janë vendosur në Vorë, në shtëpitë e pushimit në Konvaleshencë. Ndërsa të tjerë janë në ndihmë për pacientët e shtruar në Spitalin Ushtarak dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Sipas Ministrisë s Shëndetësisë, shërbimet ofrohen falas nga profesionistë të specializuar. Nga ecuria e ekipit rezulton se personat e prekur nga ngjarja e Vorës paraqesin probleme me pagjumësinë dhe kanë dhimbje koke. Për mbështetjen emocionale të banorëve të Vorës, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion një linjë telefonike për informacion dhe mbështetje emocionale, të cilët mund të telefonojnë në nr. 04 248051, në harkun kohor 08:00 – 20:00. Ndërsa ekipet e Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor të qytetit të Tiranës janë në dispozicion të popullatës dhe ofrojnë asistencë në terren nga mjekë psikiatër, psikologë, punonjës socialë dhe infermierë.
21 Mars 2008