E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jaho: “Përparësitë dhe defektet e listave të mbyllura”

Konstitucionalisti Niazi Jaho flet për çështjet e reformës zgjedhore

Konstitucionalisti Njazi Jaho, në një intervistë për gazetën “Albania”, ka deklaruar se propozimet e bëra nga politika për ndryshimin e sistemit aktual zgjedhor duhet të kenë argumente të forta dhe bindëse. Sipas Jahos, e keqja e zgjedhjeve në Shqipëri nuk vjen nga sistemi aktual. Madje për këtë ai i është referuar edhe OSBE-ODIHR-it. “OSBE/ODIHR-i, monitoruesi i zgjedhjeve tona, edhe pse ka konkluduar se vullneti i votës së zgjedhësve është deformuar si pasojë e fenomenit “Dushk”, burimin e kësaj të keqeje nuk e ka gjetur te sistemi zgjedhor i sanksionuar në Kushtetutë, por në mungesat, pasaktësitë dhe konfuzionin që sjellin disa dispozita të Kodit Zgjedhor dhe që shfrytëzohen nga partitë politike për interesa të ngushta”, - tha Jaho. Konstitucionalisti u shpreh gjithashtu edhe për përdorimin e listave të mbyllura, të cilat, sipas tij, do të sjellin vështirësi si gjatë procesit të votimit, ashtu edhe gjatë procesit të numërimit në zgjedhjet e ardhshme elektorale.

Në muajin mars 2008 përfundon edhe mandati i tretë i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. A mund të shprehni ndonjë mendim për ecurinë e këtij procesi?
Meqë zgjedhjet parlamentare zhvillohen në vitin 2009, ka persona, midis tyre edhe politikanë, që thonë se jemi në kohë, ndërsa të tjerë, midis tyre edhe unë, mendojmë se jemi të vonuar. Nuk besoj të justifikohet fakti që komisioni i posaçëm parlamentar i krijuar pikërisht për reformën zgjedhore, nuk ka hedhur asnjë hap konkret. A do të ishte normale që pa bërë asgjë, mandati i tij të shtyhet për të katërtën herë?!
Ajo që e pengon ecurinë e këtij procesi, siç duket, është sistemi zgjedhor. A është kaq e ndërlikuar zgjidhja e këtij problemi?
Zbatimi i këtij apo atij sistemi zgjedhor, mendoj se është i një rëndësie të veçantë, por jo në atë masë sa të justifikojë ngërçin e reformës zgjedhore. Në fund të fundit çdo sistem zgjedhor që zbatohet në vendet demokratike, edhe pse mund të jetë i ndryshëm, edhe pse mund të ketë pluset dhe minuset e tij, është demokratik.
Sistemi zgjedhor në këtë apo atë vend kushtëzohet nga faktorë të ndryshëm, siç është ai i traditës e gjendjes politike, ekonomike, social-kulturore, historike. Ai kushtëzohet gjithashtu nga organizimi shtetëror, emancipimi demokratik etj.
Në nenin 64 të Kushtetutës tonë, të miratuar në vitin 1998, u sanksionua sistemi zgjedhor që vazhdon të jetë në fuqi. Ky është sistemi proporcional i personalizuar. Kanë kaluar 9 vjet nga miratimi i Kushtetutës. Nuk besoj të jetë koha kaq e gjatë që të imponojë rishikimin e sistemit zgjedhor ekzistues.
Megjithëkëtë, duke pasur parasysh se deri sot ne nuk kemi arritur të zhvillojmë zgjedhje të standardeve që kërkohen, natyrshëm mund të shtrohet çështja mos na e ka fajin sistemi zgjedhor.
Pikërisht lidhur me këtë çështje do të donim të dinim mendimin tuaj?
Fillimisht e shikoj të nevojshme të përmend se është e drejtë ekskluzive e politikës, e Kuvendit, që me konsensus të gjerë të diskutojë dhe të vendosë nëse duhet vazhduar me këtë sistem zgjedhor apo ai duhet ndryshuar. Për të arritur në konkluzione të drejta, mendoj se duhen pasur parasysh çështjet e mëposhtme:
Përgjithësimi dhe studimi i praktikës së zgjedhjeve në vendin tonë, përvoja e vendeve të tjera dhe zbatimi i saj në kushtet e vendit tonë; Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias lidhur me zgjedhjet periodike që janë zhvilluar tek ne;
Kodin e Praktikës së mirë në çështjet zgjedhore, miratuar nga Komisioni i Venecias etj.
Ata që mendojnë se sistemi ekzistues zgjedhor duhet ndryshuar, mendoj se duhet të paraqesin argumente bindëse të vërtetuara në praktikë se zbatimi në të ardhshmen i këtij sistemi do të ishte i dëmshëm. Në këtë vështrim do të ishte e rekomandueshme që për pluset e sistemit të ndryshuar të bindeshin edhe shtetasit votues.
Ndoshta zbatimi i fenomenit të “Dushkut” mund të ishte një argument për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Si mendoni për këtë?
Deri sot nuk kam dëgjuar argumente që të krijojnë bindje se sistemi zgjedhor lejoi apo nxiti fenomenin “Dushk”. Argumente të tilla nuk përmbajnë as raportet e OSBE/ODHIR-it të 7 nëntorit 2005 lidhur me zgjedhjet e 3 korrikut 2005. Në këtë raport kritikohet strategjia e dy partive të mëdha për rritjen e maksimumit të fitores duke dëmtuar kështu objektin kushtetues, për proporcionalin “në raport sa më të afërt” të sistemit zgjedhor. “Kuadri ligjor, - thuhet në këtë raport, - nuk siguron realizimin e objektivit të shprehur të Kushtetutës, krijimin e një Kuvendi bazuar mbi parimin e përfaqësimit proporcional...” (shih faqen 9 të raportit).
Nga sa u tha më lart, del se OSBE/ODIHR-i, monitoruesi i zgjedhjeve tona, edhe pse ka konkluduar se vullneti i votës së zgjedhësve është deformuar si pasojë e fenomenit “Dushk”, burimin e kësaj të keqeje nuk e ka gjetur te sistemi zgjedhor i sanksionuar në Kushtetutë, por në mungesat, pasaktësitë dhe konfuzionin që sjellin disa dispozita të Kodit Zgjedhor dhe që shfrytëzohen nga partitë politike për interesa të ngushta, edhe pse një taktikë e tillë garuese çon në deformimin e vullnetit të zgjedhësve, gjë që reflekton në përbërjen e forcave politike përfaqësuese në Kuvend.
Një tjetër kundërshti që kanë shprehur përfaqësues të disa partive të vogla është ajo e listave të mbyllura. Si duhet kuptuar kjo?
Me sa kam kuptuar, bëhet fjalë për listat e proporcionalit, d.m.th. listat shumemërore që partitë politike (subjektet zgjedhore) i paraqesin KQZ-së. Lidhur me këto lista janë shprehur mendime që zgjedhësit të kenë të drejtën e preferencës, d.m.th. të votojnë për atë person që ata duan dhe jo në tërësi për krejt listën me personat e përcaktuar dhe të renditur nga partia politike përkatëse. Si argument ata paraqesin faktin se kjo është më demokratike dhe i detyron partitë politike që në këto lista të përfshijnë persona me reputacion, që gëzojnë besimin e zgjedhësve.
Në fakt, me aq sa jemi në dijeni, lista të mbyllura (jopreferenciale) praktikohen në shumicën e vendeve. Edhe pse ky problem vlen të diskutohet, mendoj se zbatimi i tij në vendin tonë mund të shoqërohej me disa vështirësi, siç mund të ishin:
niveli relativisht jo në masën e duhur kulturore dhe arsimore. Në këtë aspekt nuk mund të injorohet fakti se ende tek ne vazhdon të jetë shqetësues votimi “në grup” ose “familjar”, do të ishte më i ndërlikuar votimi nga ata që nuk mund të votojnë vetë ose për ata që janë me aftësi fizike të kufizuara. Më i vështirë do të ishte edhe procesi i numërimit të votave. Që problemi të jetë më i qartë për lexuesin, e shikojmë të nevojshme të përmendim se listat shumemërore, edhe pse konsiderohen të mbyllura, bëhen të njohura për publikun. Kështu, sipas nenit 86 të Kodit Zgjedhor, pas verifikimit të tyre nga KQZ-ja ato publikohen në tri gazeta me tirazhin më të madh në shkallë vendi e në mediat elektronike. Veç kësaj, një kopje e këtyre listave i dërgohet KZZ-së për të publikuar në mediat vendore dhe për t’i shpallur në vendet publike në zonën e tyre.
Nëse nëpërmjet ndryshimit të sistemit zgjedhor apo të ndryshimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor do të eliminohej fenomeni “Dushk”, a do të garantoheshin zgjedhje të standardeve?
Kam mendimin se nuk është vetëm fenomeni “Dushk” që ka dëmtuar standardet e zgjedhjeve, megjithëse ai ka qenë tepër negativ dhe me pasoja të dëmshme. Kam mendimin se çfarëdo sistemi që do të zbatohet, duke përfshirë edhe ndryshimet që mund t’i bëhen Kodit Zgjedhor (ndryshimet në këtë kod deri sot kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme) pa depolitizuar në masën më të mundshme administratën zgjedhore, pa e bërë transparente dhe të besueshme numërimin e votave, pa pajisjen e zgjedhësve me dokumente identiteti të bazuar në një regjistër të plotë dhe të saktë të zgjedhësve si dhe në sistemin e adresave pa vullnetin politike për zgjedhje të lira dhe të ndershme, vështirë të arrihen standardet që kërkohen.
Kryerja e reformës zgjedhore është komplekse dhe e gjithanshme. Çdo kapitulli dhe dispozite të Kodit Zgjedhor i duhet kushtuar vëmendje e veçantë. Ka mjaft rekomandime të OSBE/ODIHR-it, që nuk janë shqyrtuar. Në raportin e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias të vitit 2004, p.sh. janë bërë disa rekomandime të rëndësishme lidhur me kapitullin e Kodit Zgjedhor “Për referendumet”. Në këto rekomandime (që edhe pse kanë kaluar 3 vjet nuk janë marrë në shqyrtim), bëhet fjalë edhe për dispozita antikushtetuese.
Sipas jush, a ekzistojnë mundësitë për përmbushjen me sukses të detyrës për një reformë të plotë zgjedhore?
Po, ekzistojnë, por për këtë duhet punuar në mënyrë intensive dhe cilësore. Nëse do të mendohet për ndryshime në sistemin zgjedhor, kjo (sigurisht me konsensus të gjerë) duhet vendosur sa më parë. Nuk është e rekomandueshme që sistemi i ndryshuar të zbatohet në zgjedhjet e ardhshme nëse ai miratohet një vit para këtyre zgjedhjeve. Nuk duhet që ndryshimet në Kodin zgjedhor të bëhen me vonesë ose në 6-mujorin para zgjedhjeve parlamentare. Ne mund të caktojmë p.sh datën kur do të prodhohen kartat e identitetit, por e rëndësishme është të përcaktohet koha e fillimit dhe mbarimit të shpërndarjes së tyre. Ka shumë probleme që duhen zgjidhur në kohën e duhur. Kemi përvojë të hidhur si pasojë e vonesave, gjë që ka ndikuar negativisht në aspektet e ndryshme të procesit zgjedhor. Le të shpresojmë se fenomene të tilla nuk do të ndodhin.

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›