E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-PD: Sistem i padiskutueshëm proporcional rajonal

I menjëhershëm ka qenë reagimi i dy partive të mëdha, PS e PD, pas takimit dhe deklaratave të bëra nga përfaqësuesit e partive të vogla parlamentare për çështjen e reformës zgjedhore. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, shprehu vendosmërinë e PS-së për sistemin proporcional rajonal, duke konfirmuar edhe vendimin e marrë nga Kryesia e PS-së në mbledhjen e zhvilluar dy ditë më parë në Mamurras. “Sistemi aktual është një sistem i padiskutueshëm më. Jemi drejt një opsioni të një sistemi proporcional rajonal, natyrisht, dhe kalimin nga zona me lista njëemërore në zona me lista shumemërore. Ky lloj sistemi do t’i shërbejë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri dhe, në fund të fundit, shmang mundësinë e transferimit, tjetërsimit të votës apo abuzimin me votën e shqiptarëve”, - tha Leskaj. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së ftoi partitë aleate që të reflektojnë për qëndrimet e tyre për reformën zgjedhore. “Jemi të hapur dhe jemi në pritje të reflektimit të diskutimit dhe të bashkëpunimit me të gjithë aleatët tanë në opozitë. Jemi në pritje që ata të vijnë me propozimet e tyre për t’u diskutuar, por, siç e thashë, sistemi aktual nuk diskutohet më”, - deklaroi ajo. Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike shprehu në mënyrë indirekte mbështetjen për sistemin proporcional rajonal. “Partia Demokratike do të pranojë çdo lloj sistemi zgjedhor që do të propozojë opozita, por sigurisht që i takon forumeve të PD-së për të vendosur mbi modalitetet dhe detajet e këtij procesi. Pozicionimi zyrtar i PS-së për një sistem të caktuar mund ta orientojë më drejt debatin për reformën zgjedhore në Shqipëri, pasi, për hir të së vërtetës, duhet të themi se ky debat ka ndjekur rrjedha shumë të çuditshme, gati qesharake", - tha Patozi.
Por kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike u shpreh kategorikisht kundër mosndryshimit të sistemit aktual zgjedhor.
"Të diskutosh sot për një sistem të afërt me këtë që kemi, do të thotë të pranosh ‘Dushkun’, do të thotë të mos pranosh reformën dhe kjo është një fyerje për të gjithë qytetarët shqiptarë, është një fyerje për politikën, por edhe për aleatët tanë euroatlantikë, të cilët reformën zgjedhore e kanë si një nga kushtet e Shqipërisë për integrimin", - tha Patozi.

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›