Shtërpca me bravë të re
Flamuri i Serbisë do të zëvendësohet me flamurin e Kosovës, me të edhe shkronjat cirilike. Që nga sot, Kosova ka edhe një komunë më tepër. Komunë që rrallëherë e kishte kontrolluar. Ajo është Shtërpca.
Branislav Nikoliq është kryetari legjitim i kësaj komune, i votuar nga 60 për qind të qytetarëve. Në ditën e parë të punës, nën sqetulla kishte marrë disa brava të dyerve, të cilat mund të hapen vetëm nga njerëz që njohin institucionet e Kosovës. Në këtë mënyrë, kryetari i ri ua pamundësoi strukturave paralele hyrjen në ndërtesën e Komunës, të cilin tash e disa vjen e kishin kontrolluar.
“Vepruam në kuadër të kompetencave që kemi si organe legjitime, të zgjedhura me votën e qytetarëve. Komuna duhet të funksionojë për të gjithë qytetarët”, thotë Nikoliq për Express. Ai tregon se nuk ka pasur reagime nga strukturat paralele, derisa nga qytetarët është pritur mirë një vendim i tillë.
Por, reagimi i butë i qytetarëve dhe i strukturave paralele pas ndërrimit të pushtetit në Shtërpcë ka një shpjegim. Atë që nuk dëshiron të thotë Nikoliqi, tregon për Express ish-kryetari i kësaj komune nga zgjedhjet e vitit 2002 dhe kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e fundit nga Lëvizja Demokratike Serbe, Slagjan Iliq.
Sipas tij, përkrahja që dikur e kishin strukturat paralele në këtë komunë është zbehur, pas keqpërdorimeve të shumta. Ata që e quajnë vetën “patriot”, sipas tij, nuk mund të mbledhin më as 50 veta në një demonstratë. Radikalët, vlerëson Iliq, kanë humbur përfundimisht përkrahjen e qytetarëve të Shtërpcës.
Por, ai vlerëson se edhe qëndrimi i Beogradit është zbutur dukshëm. “Beogradi ka reaguar, por jo ashtu siç kanë pritur radikalët në Shtërpcë. Beogradi nuk ka reaguar, duke mbrojtur njërën apo tjetrën palë, por kanë thënë se tensionet duhet të ulen dhe se edhe njëra edhe tjera palë kanë të drejtë. Mirëpo, edhe Beogradi po e pranon Nikoliqin si realitet. Ky është interpretimi im si një qytetar i thjeshtë”, thekson Iliq.
Strukturat paralele asnjëherë, sipas tij, nuk kanë pasur ndonjë ndikim të madh në mesin e qytetarëve. Iliq vlerëson se roli i tyre është ekzagjeruar gjithmonë. Por, tani kjo ka marrë fund.
I dëshpëruar, kryetari paralel i Komunës së Shtërpcës, radikali Zvonko Mihailoviq, menjëherë pas këtyre ndryshimeve ka udhëtuar për Beograd. Atje pritet të marrë instruksione nga Qeveria në Beograd. Por, gjasat që të ketë protesta apo demonstrata kundër kryetarit të ri, sipas Iliqit, janë të vogla. Megjithëkëtë, situata e krijuar në Shtërpcë i ka ndarë njerëzit, por që në fund sipas Iliqit doli se Nikoliqi ka përkrahjen më të madhe të qytetarëve.
“I kemi ata të cilët vetën e quajnë patriotë dhe këta të tjerët, të cilët konsiderojnë se interesat e tyre duhet t’i mbrojnë përmes bashkëpunimit me institucionet në Kosovë dhe kjo nuk është diçka e re. Këtë e kemi bërë edhe më herët. Ne kemi luftuar për të drejtat e serbëve edhe në Qeveri, në Kuvendin e Kosovës, edhe nëpër asambletë komunale”, shton ai.
Iliq është i bindur se kryetari i ri do të punoj shumë në zhvillimin e turizmit, si parakusht për zhvillim ekonomik në këtë komunë. Ai thotë se Nikoliq tash do të ristrukturojë komunën, duke sjellë njerëz të rinj nëpër drejtori të caktuara.
Sipas tij, njerëzit presin shumë nga kryetari i ri, sidomos në luftimin e ndërtimeve të egra, që po bëhen në Brezovicë. Në kohën kur ai ishte kryetar i Shtërpcës, thotë se kanë punuar serbët dhe shqiptarët bashkë, për interesat e kësaj komune. Sipas tij, kjo do të vazhdojë tash edhe me kryetarin e ri, Branisllav Nikoliq.
Ndërkohë, zyrtarët e strukturave paralele që dikur ishin në çdo cep të Shtërpcës, tani janë vështirë për t’u gjetur. Kryetari i Kuvendit Komunal, radikali Bojan Saviq, nuk ka dashur të flasë për Express, kur bëhet djalë për ndërrimet e pushteteve që kanë ndodhur në këtë komunë.
Ndërkohë, përfaqësuesi i shqiptarëve të kësaj komune me shumicë serbe, Beqir Fejzullahu, i PDK-së, njëherazi kundërkandiat i Nikoliqit, e vlerësoi si hap të nevojshëm dëbimin e strukturave paralele nga zyrat e komunës në Shtërpcë.
“Nuk e kam pritur që kjo gjë të ndodhë kaq shpejt. Kjo është gjë mirë që ka ndodhur”, thotë Fejzullahu, i cili bashkëqeverisjen me SLS-në e ka vlerësuar si shumë të nevojshme për qytetarët e kësaj komune. “Në Shtërpcë do të bashkëqeverisin dy partitë më të mëdha nga kjo komunë. Jam i bindur se qeverisja në këtë komunë do të jetë shembulli më i mirë për Kosovën”, shton ai.
Ndërsa, Nikoliq edhe të shtunën vazhdon të mburret për një gjë. “Hapi i parë i guximshëm dhe shumë i nevojshëm është që kam bërë dëbimin e strukturave paralele nga zyrat e ndërtesës së Komunës në Shtërpcë”, vlerëson kryetari i ri i Shtërpcës.
As vizita disaminutëshe në Shtërpcë e të ashtuquajturit ministër serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, nuk ka mundur t’ia thyejë mendjen as të Nikoliqit, e as të qytetarëve të Shtërpcës.