Përmbytjet, mbi 1500 nxënës munguan në mësim
SHKODËR/ Drejtoresha rajonale e arsimit tregon masat që po merren lidhur me përmirësimin e situatës në shkolla
Të hënën do të rifillojë mësimi në tri shkollat e mesme profesionale, konviktet e të cilave u përdorën nga të evakuuarit
SHKODËR - Ulja e nivelit të ujit të pranishëm në banesat e përmbytura në rrethin e Shkodrës ka bërë që disa prej familjeve të evakuuara të rikthehen atje. Të evakuuarit që ishin vendosur në konviktet e shkollave të mesme profesionale të industriales dhe pyjores, janë larguar nga këto ambiente, ndërsa vetëm 60 vetë që ndodheshin të akomoduar pranë konviktit të shkollës artistike janë shpërngulur tek konvikti i gjuhëve të huaja. Gjithsej në këto konvikte kanë qenë të strehuar mbi 500 vetë nga zonat e përmbytura.
Kështu, të hënën do të rifillojë mësimi në shkollat e mesme profesionale të qytetit të Shkodrës, pasi konviktet janë të lira, ndërsa të evakuuarit, numri i të cilëve vjen në rënie, pasi ata vazhdojnë të largohen drejt banesave të tyre, janë të grupuar vetëm në konviktin e shkollës së gjuhëve të huaja në Shkodër, atë "Safet Spahiu".
Sipas drejtoreshës rajonale të arsimit në Shkodër, Atrida Ferketi, mësimi vazhdon edhe në shkollën e gjuhëve të huaja, me përjashtim të nxënësve konviktorë që nuk kanë ku të qëndrojnë deri në largimin e plotë të familjeve të evakuuara. Ndërsa tre shkollat e mesme profesionale, konviktet e të cilave u vunë në dispozicion të situatës emergjente të krijuar nga përmbytjet, të hënën do të rifillojnë normalisht mësimin. Për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë kohës që këto shkolla nuk kanë bërë mësim, si dhe të shkollave në zonat e përmbytura, është planifikuar një program i veçantë në bashkëpunim me drejtoritë e stafet pedagogjike të shkollave, ku do përdoren orët e lira në dispozicion të çdo lënde, do të zhvillohet mësim të shtunave, zëvendësim orësh të humbura në orët e 7-ta ,bashkim temash aty ku nuk ka material voluminoz, ndërsa shkollat profesionale do të shohin mundësinë e zëvendësimit të orëve të humbura dhe në ditët e praktikës mësimore .
Ferketi shprehet se janë 635 nxënës të shkollave të zonës së Dajçit, 16 të fshatit Obot, 724 të shkollave të komunës Velipojë, 117 të fshatrave Mal i Jushit e Fshati Ri në komunën e Bushatit që nuk kanë zhvilluar mësim akoma këtë vit kalendarik për shkak të përmbytjeve. Ndërsa në shkollat e Berdicës e Trushit është bërë mësim, por ka pasur mungesa në masën 20% në Trush dhe 15% në Berdicë për shkak se disa pjesë të këtyre zonave kanë pasur përmbytje. Për të bërë të mundur normalizimin e situatës në drejtim të arsimimit të nxënësve të zonave të përmbytura, po bëhet identifikimi në secilën shkollë i nevojave që ato kanë për bazë materiale të dëmtuar nga përmbytja, nevojat e ripajisjes së nxënësve për tekste mësimore me të cilat është kontaktuar me shtëpitë botuese, nevojat për veshmbathje të fëmijëve të zonave të përmbytura.
Niveli i ujit në zonat e përmbytura vazhdon të bjerë. Rruga kryesore e komunës së Dajçit që ishte e bllokuar, tashmë është e kalueshme dhe po kështu edhe rruga e Velipojës kalohet me makina të mëdha, kamionë ushtrie. Në qytetin e Shkodrës pompa të mëdha thithëse të ardhura nga Maqedonia po punojnë për heqjen e ujit nga rrugët e qytetit. Vazhdon të ketë ujë në zonat e livadheve dhe më pak në Ajasëm e Tophanë.