E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasja me armë në Shkozet, pranga dy autorëve



Prangosen dy nga autorët e përplasjes me armë në Shkozet, nga ku për pasojë u përfshi edhe një autobus, duke shkaktuar 4 të plagosur dhe një të vdekur. Policia e Durrësit në bashkëpunim me kolegët e kryeqytetit, falë edhe informacioneve të marra në rrugë operative, finalizuan aksionin për kapjen e dy të dyshuarve, që qëlluan mbi autobusin me udhëtarë në Shkozet, më 21 prill. Bëhet fjalë për dy shtetasit shqiptarë të pakicës rome, Leonard Kalemi, 22 vjeç dhe Romeo Kalemi, 18 vjeç. Dy vëllezërit janë banues të Shkozetit, por qëndronin të fshehur në Tiranë pas ngjarjes së rëndë. Sipas burimeve policore, dy vëllezërit qëndronin të fshehur në zonë e Alliasit në kryeqytet, konkretisht në një banesë të marrë me qira te Bregu i Lumit. Këta shtetas akuzohen se kanë shkrehur breshëri automatiku, gjatë një konflikti ndërmjet familjeve Meta e Kalemi, duke vrarë një person dhe plagosur katër të tjerë. Tre prej tyre ishin persona të rastësishëm që po udhëtonin në autobusin e linjës Durrës-Fshat Rinia. Nga kryerja e veprimeve në vendngjarje dhe nga hetimet e deklarimet e bëra nga dëshmitarët okularë rezulton se Leonard Kalemi është autor i plagosjes së rëndë të shtetasit Bashkim Zhupa, i cili ndërroi jetë 6 ditë më parë, më datë 04.05.09 në spitalin rajonal të qytetit. Zhupa mbeti viktimë, teksa autobusi me të cilin udhëtonte u qëllua pa dashje në luftën e dy fiseve rome në Shkozet të Durrësit. Shërbimet e Drejtorisë Policisë së Qarkut menjëherë pas zbardhjes së ngjarjes dhe arrestimit të dy prej bashkëpunëtorëve të tjerë të fisit Meta, kanë punuar intensivisht në lidhje me marrjen e informacioneve, saktësimin e tyre në lidhje me vendndodhjen e dy autorëve. Për këtë qëllim, sipas burimeve policore, u hartua një plan operacional, i cili u finalizua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Tiranës, me kapjen e personave të kërkuar, ku u përdorën metoda speciale të hetimit të krimit. Sipas policisë, dy vëllezërit gjatë kësaj periudhe, nga momenti i ndodhjes së ngjarjes e deri në momentin e kapjes së tyre, ishin strehuar në Allias te Bregu i Lumit, në një shtëpi të vjetër, të cilën e kishin marrë me qira. Veprat penale në ngarkim të dy shtetasve janë “vrasje e kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›