Shtet under katarsis! Me teknologjinë më të tejkaluar!
Këto ditë, prej ngjarjeve të ndodhura lart e poshtë nëpër Atdhe, na u qetësua shpirti. Më në fund dëshmuam se kemi shtet e se shteti i së drejtës ka të drejtë që nisë të vërë drejtësi në vend.
Kuptuam se shtetin më në fund nisi ta brejë ndërgjegjja. Mundimi i madh se ende pas 19 vjetësh nuk po zbatonin dot ligjet që kishin vendosur po vetë nëpër parlamente gjithë këtë kohë, e nxiti shtetin të nisë e të zbatojë ligjet e veta. Nisi të ndëshkojë keqbërësit, abuzuesit, kriminelët, hajdutët, pronëngrënësit, shpërdoruesit.
Pra, më në fund, shteti vendosi të ndryshojë, e të bëhet i drejtë, duke nisur të zbatojë ligjet e shkelura prej vetë vetes gjithë këtë kohë, e të ndëshkojë gjithë të paudhët.
Kësisoj, tani, shteti ynë ka nisur të hakmerret me të kaluarën e tij. Me ata që në sistemin e mëparshëm kanë dënuar rëndë ata të sistemit të mëparshëm.
Maratona vazhdon!
Por e vetmja e keqe e këtij procesi është se do të duhet të presim 50 vjet që të ndëshkohen keqbërësit e kohëve moderne. Ndërsa ne, “të keqtrajtuarit” e kohëve moderne, vuajmë një jetë të tërë në pritje që të vihet drejtësia në vend.
Por të paktën do të na prehet shpirti në paqe që do ta kemi lënë shtetin under katarsis! Do të mbyllim sytë, e do të na shfaqet para syve tabela e punimeve në rrugë, ku një hallexhi me një lopatë në dorë njofton drejtuesit e automjeteve se atypari diçka është under construction! Ai burri me lopatë në dorë do të na shfaqet me në sfond yjet e Komunitetit Evropian, vijat e flamurit amerikan, siglën e NATO-s dhe çdo sponsori “GJENERAL” që do të ketë mundësuar realizimin e kësaj TABELE, do të na njoftojë se SHTETI YNË ËSHTË UNDER KATARSIS.
Dhe po gërryen veten.
Ndërkohë që ai dheu që hidhet nga ana tjetër përbalt historinë duke shënuar në histori veç BALTË!
E derisa të jetë gërryer i gjithë ky vend, do të duhet shumë, shumë kohë!
Megjithatë, ajo çfarë duhet të na mbushë me frymëzim e paqe në shpirt, është fakti se shteti zuri mend e nisi të pretendojë drejtësi.
Mirëpo metodat që ka zgjedhur janë të teknologjisë së lartë. Të një teknologjie kaq të lartë, saqë e tejkalon edhe fantashkencën.
Dhe teknologjia e përparuar që ka mbirë nëpër atdhe ka çatrafillosur sistemin e alarmit te populli dhe kjo rezonancë shpon tejpërtej ndjenjën e revoltës te qytetarët!
Kjo është edhe arsyeja pse vendosa ta shkruaj këtë letër! Të bëj rolin tim si gazetare dhe opinionbërëse e t’ju disintoksikojë nga rrezatimet kardiopatologjike që ka zaptuar atdheun prej sulmit të përbindëshave të teknologjisë super ekstra mega dimensionale.
Meqë shteti është under katarsis, nuk ka pse ne të rrimë në versionin silent, apo jo?
Me gjithë qetësinë që na shkakton lajmi se shteti ynë tashmë ka hyrë me të drejta të plota në komunitetin e të drejtëve, nuk kemi pse të mos punojmë paralelisht me shtetin për një shtet më të drejtë, në mënyrë që të gëzojmë edhe ne pak ditë të lumtura, e të mos mjaftohemi me faktin se të paktën në të ardhmen Shqipëria do të bëhet.
Mora spunto nga fakti që një grup shumë i madh njerëzish, të cilët kanë shfaqur shenjat e para të qytetërimit e të pretendimit për drejtësi në vend, si dhe nga një grup i vogël ligjshkelësish që po ndëshkohen moralisht dhe penalisht nga të gjithë, për ta të “ngrënë” pak kohë nga koha ime si Përgjegjëse Marketingu e për t’iu rikthyer zanatit të vjetër, pasi edhe unë si ujkonjë që jam me gjithë qimet që ndërroj zakonin nuk e harroj, dhe po ju ndihmoj të hapni sytë e të bëheni të ndërgjegjshëm për rrezikun që po ju kanoset. Sepse shteti është under katarsis dhe nuk e ka shumë mendjen te ju për momentin.
Teknologjia e TEJKALUAR ju ka bërë të ndiheni të qytetëruar, por jetoni në një qytet under construction ende. Edhe pse duhet të kishit qenë shembull qytetërimi me mundësitë që keni patur. Kjo gjë, ju ka ardhur si pasojë e çekuilibrimit të logjikës tuaj komunitare. Sepse pushteti i teknologjisë ju ka tharë çdo ndjenjë e ju ka bërë INOX!
Si tubat e tharë nga mungesa e ujit që qarkullon vetëm me orar, atëherë kur vendos t’i hapë rubintët shteti, ashtu edhe populli shqiptar kërcet nga boshësia duke u fryrë me gazra e ajër. Kjo gjë shkakton turbullime në sistemin shoqëror, pasi prej gjendjes së masës varen pakicat. Ndaj dhe mungesa e ndjeshmërisë ju ka ngrirë plotësisht.
Juve jeni tashmë të ezauruar nga rrugët e prishura, gropat e hapura, rrugët pa krye, ndërtimet pa leje, shpërthimet e minave, aksidenteve fatale, zaptimit të pronave, mungesës së shërbimeve sociale. Jeni viktima të shtetit under construction!
Viktima fasadash. Viktima definicionesh ultra të larta. Ndaj dhe e keni humbur vigjilencën ndaj rrezikut. Sistemi i Alarmit është OFF!
E shqetësuar për gjendjen e viktimave të teknologjisë së tejkaluar, mora përsipër t’ju sugjeroj ta ktheni në versionin ON sistemin e alarmit, sepse, nëse nuk bëheni të ndërgjegjshëm, ka rrezik që shteti, meqë është under katarsis edhe ndonjë “LAPSUS” ta bëjë, teksa ecën mbi hapat e sigurt të drejtësisë që ka nisur të vërë në vend.
P. S
Për sa i përket çështjes “Marubi”, Akademisë së Filmit të Kujtim Çashkut, kisha vetëm një sqarim të shkurtër.
Është e pamoralshme nga ana e shqiptarëve trushpëlarë që e kanë lënë historinë, kulturën, arsimin, shëndetësinë, artin etj., të zhduket njëherë e përgjithmonë duke mos mbrojtur asnjë vlerë, e që vendin t’ia gllabërojnë hajdutët që të mbajnë qëndrim moralizues ndaj Çashkut duke patur parasysh kontekstin, në të cilin zhvillohen ngjarjet.
Sikurse është krejt e pandershme nga ana e shtetit që përbalt figura të larta e lartëson figura prej balte që me gjithë pafuqinë e vet për të ndërtuar një shkollë të denjë shtetërore kinematografike, por e ka lënë degën e filmit me arna e pa kushte, jo vetëm të mos ta përkrahë, por edhe ta shkatërroje një qendër kulturore që me vëmendjen e të gjithëve do t’i kish shërbyer në mënyrë të admirueshme të gjithë vendit tonë!
Ky shkrim i dedikohet çdo palo burri që përbalt çdo goxha burrë!