E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj: Çova në vend amanetin e të parëve

Intervista Deputeti demokrat tregon se si i gjeti dokumentet për varrezën e Burgut 309

“çova në vend amanetin e familjes sime”, ka pohuar deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj, i cili ka qenë personi që zbuloi vendndodhjen e varrezës së të dënuarve politikë në Ballsh. Në një intervistë të shkurtër për “Shqip”, ai tregoi se si është bërë e mundur gjetja e eshtrave:

çfarë ju shtyu të ndërmerrni një hap të tillë?

Sigurisht që ka qenë një shtysë personale e imja. Varret e të afërmve të mi ende nuk janë gjetur. Kjo ka bërë që ky të jetë ndoshta një lloj amaneti për njerëz të shtresës që unë përfaqësoj për të gjetur të themi thjesht eshtrat, kujtimin e fundit të njerëzve të tyre më të afërt. Ka qenë një interes personal i imi dhe u arrit të përmbushej.

Dihej kjo varrezë më parë?

Dihej që këtu ka qenë Burgu 309 i Ballshit. Dihej që mungonin evidencat e mjaft të burgosurve. Nga kërkimet në arkiv kam rënë në dijeni të këtij fakti, listët dhe hartës përkatëse. Erdhi koha tashmë që të niste puna për gjetjen e trupave të të dënuarve politikë. E vërteta është ajo që del nga ato pak gjurmë historike që kanë mbetur nga arkivat e asaj kohe dhe se këtu ndodhet një varrezë që u përket të dënuarve të Ballshit. Bëhet fjalë për persona që janë dënuar për krime politike. Duket se ky vend më tepër sesa nevojë për gërmime, ka nevojë të gërmojë në historinë e vet për të gjetur identitetin e kësaj historie. Për të vlerësuar objektivisht atë çfarë ka ndodhur gjatë regjimit komunist, për të vlerësuar saktë historinë dhe për të parë se ku jemi e ku jemi duke shkuar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›