E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti bëhet njerëzor me të riatdhesuarit

Kushti i BE-së për heqjen e vizave detyron policinë të ndryshojë sjellje me “klandestinët”

Sjellja e vrazhdë e policisë shqiptare me ata që kanë kaluar në mënyrë klandestine kufirin dhe kthehen nga autoritetet greke, dita-ditës po zëvendësohet nga një sjellje njerëzore. Shërbimet e policisë kufitare në Qafëbotë reflektojnë maksimalisht këtë psikologji dhe praktikë të re sjelljeje me ata që rëndom quhen “deportivë”. Shefi i Komisariatit të Policisë së Kufirit në Sarandë, Ilir Gjoça, sqaron se e gjitha kjo në radhë të parë buron nga një strategji e re e aplikuar prej strukturave të shërbimeve në kufi, që ka për qëllim rehabilitimin e shtetasve të riatdhesuar. Por kjo do të mbetej një slogan, nëse nuk do të shoqërohej me ndryshim të trajtimit ndaj tyre, në kuptimin më praktik të kësaj fjale. Dhe ndryshimet me më parë janë të pakrahasueshme. Deportivët nuk lihen më të presin në mjedis të hapur, u ofrohet ushqim e transport falas nga komisariati i kufirit dhe ndihmë mjekësore në Qafëbotë, në rast keqtrajtimi.

Pritja

Paralelisht me përmirësimet infrastrukturore që ofron tani pika e kalimit kufitar në Qafëbotë, janë krijuar kushte më të mira edhe në pritjen e klandestinëve të kthyer nga policia greke. “Këtë e ka lehtësuar edhe fakti që numri i tyre vjen duke u ulur dukshëm”, thotë komisari Ilir Gjoça. Për këtë ai tregon se sidomos këtë vit numri i klandestinëve që kthehen ka zbritur në 30 në ditë, nga 50 e më tepër që shkonte një vit më parë. Në një bilanc të bërë për 6 muajt e parë të këtij viti, rezulton të jenë kthyer 1200 klandestinë më pak nga policia greke, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009.

E rëndësishme është që, duke menduar si njerëz e duke respektuar dinjitetin njerëzor të atyre që kanë provuar fatin e klandestinit, diçka është bërë për t’u ndier në shtetin e tyre dhe mes një policie me qytetari. Kjo nuk shprehet me fjalë, por me krijimin e mjediseve të veçanta ku ata mbahen, që pas një lodhjeje dhe stresi, të mund të ndihen të mbrojtur të paktën nga shiu apo vapa e stinës. Për deportivët nuk ka më pritje në mjedis të hapur, por çohen në mjedise të veçanta ku trajtohen në mënyrë të njerëzishme.

Ushqim falas

Jo pak prej atyre që kthehen si deportivë nga policia greke kanë nevoja të dorës së parë. Rrethanat e kapjes së tyre qëllon që janë të tilla që u ka munguar buka për ditë të tëra, situatë që e rëndon edhe më tepër mbajtja për një afat disaditor në dhomat e izolimit në Igumenicë a gjetkë. Edhe kjo rrethanë nuk është shpërfillur, madje është shoqëruar me masa konkrete e praktike për t’u ofruar atyre edhe ushqim falas në momentet e para për të shuar urinë.

Transport

Problemi tjetër i madh për klandestinët e kthyer dhe policinë ka qenë çuarja e tyre në Komisariatin e Sarandës, ku sipas një procedure të njohur, bëhet identifikimi i tyre, verifikimi i të dhënave të identitetit të deklaruara me burime zyrtare informacioni e mbi të gjitha përjashtimi nga rrethi i personave në kërkim.

Ndërsa kohë më parë, kjo bëhej me automjete rastësore apo në rrugë miqësore nga ndonjë shofer që pranonte ta bënte atë, këtë vit kryerja e transportimit të klandestinëve nga Qafëbota për në Sarandë është e zgjidhur në mënyrë dhe me burime zyrtare. Në Qafëbotë mësojmë se një automjet privat është pajtuar për të bërë transportimin e deportivëve për në Sarandë. Shpenzimet e transportit përballohen nga Komisariati i Policisë së Kufirit, kundrejt 300 lekëve të reja për person, që i paguhen shoferit të linjës Qafëbotë-Sarandë çdo fundmuaji, sipas një kontrate të nënshkruar me të.
Në largimin nga Qafëbota për në thellësi të tokës shqiptare nuk harrohet që deportivëve t’u jepet edhe një “mësim” me vete. Këtë vlerë kanë fletëpalosjet që u jepen, me informacionin e nevojshëm mbi të këqijat e trafikut klandestin dhe pse duhet hequr dorë prej tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›