E Diel, 1 Nëntor 2026

Jeta mbretërore e grabitësve shqiptarë të supermarketeve greke

Mediat greke raportojnë se shuma e parave të grabitura brenda tre vjetësh nga banda e shqiptarëve shkon në rreth 1.5 milionë euro

Makina të shtrenjta, pushime luksoze në Mikonos, bankete në buzukë dhe gjithçka dëshironin bënin katër shqiptarët e arrestuar fundjavën e shkuar nga policia, si autorë të dyshuar të grabitjes së supermarketeve në disa qytete të Greqisë. Mediat greke raportojnë se shuma e parave të grabitura brenda tre vjetësh nga banda e shqiptarëve shkon në rreth 1.5 milionë euro. Edhe pse vetëm katër persona u prangosën, policia e vendit fqinj mendon se grupi kriminal përbëhej nga shumë persona, të cilët ishin kthyer në tmerri i supermarketeve. Pak pasi kishin përfunduar grabitjen e radhës në supermarket, ku kishin marrë plot 62.154 €, agjentët antikrim kanë ndërhyrë për të arrestuar në flagrancë 4 shqiptarët e moshave 26, 27, 31 dhe 34 vjeç, teksa ktheheshin në apartamentet luksoze të marra me qira në zonën e Kalamaqit, ku edhe do të shpërndanin paratë. Mediat greke, që iu referohen deklarimeve të policisë vendore, shkruajnë se hetimet çuan në zbulimin e jetës luksoze që bënin shqiptarët, makina të shtrenjta, një “Mercedes” dhe një “Porsche”, frekuentime të shpeshta në buzukë, pushime luksoze, por nuk kishin harruar të dërgonin edhe para në familjet e tyre, me të cilat janë hapur edhe disa biznese. Policia u ka dokumentuar aktivitetin, që mendohet se ka nisur që nga 20 korriku i vitit 2007 dhe përfundon me ngjarjen në supermarketin “Sklavenitis” të katër ditëve më parë. Hetimet tregojnë se ata e studionin mirë vendin ku do të godisnin. është zbuluar edhe mekanizmi i vjedhjes, ku thuhet se ata përdornin uniforma të njëjta me ato të punëtorëve për të hyrë në supermarket në momentin që bëhej dorëzimi i xhiros ditore. Mjaft me finesë ata detyronin stafin t’u dorëzonte sasinë e parave dhe zhdukeshin pa lënë asnjë gjurmë. Grabitësit përdornin për aksion makina të marra me qira e të tyret dhe kjo e bënte të vështirë zbulimin e grupit. çdo goditje e grabitësve ishte spektakolare dhe ata nuk dilnin pa të paktën 50 mijë euro në xhep. Në shënjestrën e tyre ishin vetëm supermarkete “AB Vassilopoulos” dhe “Sklavenitis”. Sipas mediave greke, objekti i vjedhjeve të kryera kanë qenë 26 supermarkete. Pas arrestimit në flagrancë të 4 të rinjve shqiptarë iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma prej 47 670 eurosh, një automatik kallashnikov, tri pistoleta, tri automjete dhe disa materiale, që grabitësit i përdornin gjatë vjedhjeve. Hetimet e policisë janë shtrirë më tej për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këto vjedhje apo edhe kryerjen e veprave të tjera penale.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›