Vetëvritet 53-vjeçarja me çiften e bashkëshortit
Një 53-vjeçare nga Tirana është vetëvrarë dy ditë më parë me një armë gjahu, të cilën e mbante me leje bashkëshorti i saj. Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë se rreth orës 09.45 të së hënës, në rrugën “Todi Shkurti”, ka vrarë veten me armë gjahu në banesën e saj, shtetasja 53-vjeçare Luljeta Musa Koldashi. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor, ku kreu veprimet e para procedurale. Nga hetimet e bëra në vendngjarje nga grupi i posaçëm i punës, rezultoi se shtetasja ka qëlluar veten me armën e gjahu, armë e cila posedohej me lejen përkatëse nga bashkëshorti i saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut, një gëzhojë me kapsollë të plasur si dhe tri copa metalike të deformuara. Sipas të dhënave, ajo vuante nga depresioni. Materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.
#