E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD-ja shpall nëntë vende të lira gjyqtarësh

Betohen tetë gjykatësit e rinj. Rrëzohet procedimi disiplinor ndaj Taulant Tafës

Tetë gjyqtarë të rinj janë betuar dje para Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku njërit prej tyre i është hedhur poshtë edhe procedimi disiplinor që mbarte prej vitesh, ndërkohë që janë shpallur nëntë vende të lira. Në mbledhjen e radhës të drejtuar nga kreu i KLD-së, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është shpallur edhe vendi vakant i gjyqtarit Medi Bici. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka kryer edhe disa delegime të gjyqtarëve për të gjykuar dosje në gjykatat e tjera. KLD-ja vendosi gjithashtu të rrëzojë procedimin disiplinor të gjyqtarit Taulant Tafa, pasi ka kaluar afati për shqyrtimin e saj.

Betimi i gjyqtarëve

Kështu dje është bërë betimi i gjyqtares Zeta Terpollari, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, Engjëllushe Tahiri, e emëruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, Gentiana Xhelili, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Sarandë, Alma Kodraliu, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Pogradec, Alma Zhupa, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, Bib Ndreca, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tropojë, si dhe gjyqtaret Ornela Naqellari dhe Rezarta Paja në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Përmet. Emërimet e gjyqtarëve u bënë rreth dy javë më parë, pasi KLD-ja shqyrtoi kandidaturat e studentëve, të cilët kanë mbaruar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, të periudhës 2008-2009, profili gjyqtar, duke u bazuar në rezultatet e arritura. Secili prej gjyqtarëve të betuar dje, shprehën preferencat e tyre për vendet përkatëse të vëna në dispozicion në gjykatat e rretheve gjyqësore.

Vendet vakante

Në mbledhjen e djeshme, Këshilli ka vendosur të shpallë vendin vakant të gjyqtarit Medi Bici, i cili nga gjyqtar në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, u emërua anëtar në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, janë pesë vende vakante të shpallura nga KLD-ja, që sipas të dhënave, bëhet fjalë për një gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, një vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kurbin, një vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, një vend vakant për gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës, si dhe një vend vakant në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Po ashtu, KLD-ja ka shpallur vend vakant për kryetar në Gjykatën e Apelit Vlorë, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës, Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë dhe Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Dibër.

Masa ndaj Tafës

Në fund të mbledhjes, KLD-ja vendosi të rrëzojë procedimin disiplinor për gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Taulant Tafa, pasi i kishte kaluar afati, ngaqë ai kishte marrë pafajësi. Tafa u propozua për masë disiplinore nga Ministria e Drejtësisë, një vit më parë. Ngjarja për të cilën u dërgua për masë disiplinore gjyqtari Taulant Tafa ka ndodhur më 17 korrik të vitit 2005, në plazhin e Golemit. Gjyqtari Tafa ishte pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Rendit Publik, në automjetin me targa të Elbasanit, EL 4327 B. Si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit, humbi jetën Bukurie Sejfullai, 58 vjeçe, dhe u plagos rëndë bashkëshorti i saj, prindërit e drejtorit të Drejtorisë së Luftës Kundër Drogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas aksidentit, ai u largua nga vendngjarja, ku u ndalua në afërsi të Kavajës. Tafa u pushua nga detyra pas kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për dhënie autorizimi për procedimin e mëtejshëm penal të gjyqtarit të Elbasanit, Taulant Tafa, për kryerjen e veprës penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›