Shtime, sulmohet një polic
Policia rajonale e Ferizajt ka raportuar për një rast sulmi ndaj një zyrtari policor në Shtime, për motive ende të panjohura.
Zëdhënësi rajonal i policisë, togeri Agim Gashi, ka thënë se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:23.
“Polici, i cili nuk ishte në detyrë zyrtare, është sulmuar nga të dyshuarit I.A. 36-vjeçar dhe H.A. 21-vjeçar - që të dy nga Shtime. Si pasojë e lëndimeve, policit i është ofruar ndihma e parë në ambulancën e Shtimes, ndërsa më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejshëm mjekësor”, ka thënë Gashi, transmeton KosovaPress.
Mësohet se pak minuta pas ngjarjes, të dyshuarit janë dorëzuar në Stacionin Policor të Shtimes, ndërsa me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Komunale të Ferizajt, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Vepra është cilësuar si lëndim i lehtë trupor, ndërsa me rastin po merren organet e drejtësisë”, ka pohuar Gashi.
Rasti po hetohet nga Njësia Rajonale e Hetimeve në Ferizaj.