Gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it janë kthyer në Veri

Kthimi i të gjithë gjykatësve në veri të Mitrovicës është jashtëzakonisht me rëndësi, sepse njerëzit kanë nevojë për gjyqësi të mirëfilltë, ka thënë zv. shefi i EULEX-it, Andy Sparkes.
Ai gjatë një konference të enjten për media në veri të Mitrovicës, theksoi se gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it janë kthyer në këtë gjykatë.
“Gjykatësit janë kthyer, momentalisht janë duke punuar në hapësira tjera, sepse objekti nuk ka përfunduar në tërësi së lyeri. Kur të përfundojnë të gjitha punët rreth objektit, atëherë gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it do të kthehen në të njëjtin objekt sikurse më parë”, ka thënë Sparkes.
Sipas tij, EULEX-i synon që në këtë gjykatë të kthehen edhe gjyqtarët dhe prokurorët lokalë, dhe se shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejt që është e mundur.
Duke folur rreth kriminalitetit në Kosovë, zv. shefi i Misionit të EULEX-it potencoi se kjo është një fushë në të cilën bashkëpunimi multietnik ka ndikimin më të mirë.
“Ekzistojnë elemente të sakta, fatkeqësisht, se njëra nga fushat e bashkëpunimit multietnik është kriminaliteti. Unë pajtohem plotësisht për bashkëpunim multietnik, por jam kundër kriminalitetit”, ka thënë Sparkes. /kosovapress/