E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paga minimale, vetëm 170 euro

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit janë përcaktuar që të propozojnë që paga minimale në Kosovë të jetë vetëm 170 euro. Aktualisht paga minimale është 130 euro. Nga Express më 28 prill 2011 në ora 18:00

Punëdhënësit kosovarë janë përcaktuar që paga minimale në Kosovë të jetë 170 euro. Përderisa sindikatat kishin propozuar që kjo pagë të jetë 250 euro, punëdhënësit thonë se kjo është e papërballueshme.

E sot Këshilli Ekonomik Social duhet të dalë me një propozim konkret, të cilin duhet ta miratojë Qeveria e Kosovës. Në një takim të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës përfaqësuesit e komunitetit të biznesit janë informuar se me Ligjin e Punës, i cili ka hyrë në fuqi me 16 dhjetor të vitit 2010, në nenin 57, është paraparë paga minimale.

Zineta Daci, këshilltare në OEK, tha se ky subjekt, para se të bëjë propozimin për lartësinë e pagës minimale, paraprakisht ka dashur të diskutojë me subjektet afariste. Ajo tha se konform Ligjit të Punës si faktor bazë për llogaritjen e pagës minimale janë paraparë kostoja e shpenzimeve jetësore, përqindja e shkalles së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit ne vend.

“Propozimi për pagën minimale duhet te jetë i pranueshëm dhe i aplikueshëm, se pari për juve e pastaj edhe për Qeverinë e Kosovës. Si përfaqësuesi i juaj, jemi te vetëdijshëm me çfarë vështirësi po ballafaqoheni gjate procesit te afarizmit, por, jemi zotuar te gjithë, qe do te ndërtojmë një shtet ku do te sundoje dhe do të respektohet ligji”, tha zonja Daci. Duke informuar të pranishmit se propozimi i sindikatave, ishte, qe paga minimale te jetë 250 euro ne muaj, ajo tha se si përfaqësuese e Odës ishte kundër këtij propozimi, duke insistuar se duhet ndarë dëshirat prej mundësive, prej gjendjes reale.

Ajo ka theksuar se oda, e cila përfaqëson interesat e punëdhënësve, si partner në dialogun social, së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe sindikatat, duke pasur parasysh, punëdhënësit, do të kanë barrën kryesore në aplikimin e vendimeve të Qeverisë. E më herët kreu i BSPK’së, Haxhi Arifaj, kishte kërkuar që edhe punëtorët e sektorit privat të gëzojnë rritje të pagave për shkak të ngritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë. “Në mënyrë të argumentuar do të prezantojmë arsyen pse kërkojmë dhe cilat janë specifikat. Njëkohësisht, edhe në bazë të statistikave që ne do t’i nxjerrim, sepse kemi të bëjmë me shportën ditore, mujore, kemi të bëjmë me ngritjen e çmimeve, kemi të bëjmë me inflacionin”, pat thënë Arifaj.

Ndërsa në bazë të një pyetësori që OEK’u ua ka dërguar 20 ndërmarrjeve rreth pagës minimale është nxjerrë një mesatare prej 197 eurosh. Por punëdhënësit thonë se për përcaktimin e saj duhet të ekzistojnë të dhëna të sakta. Aktualisht në Kosovë paga minimale është 130 euro, siç ishte përcaktuar në vitin 2005. Në bazë të nenit 57 të ligjit të punës Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshilli Ekonomiko-Social.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›