E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuçi: Do të ketë nevojë për një ri-dizajnim të Qeverisë

Nga Express më 28 prill 2011 në ora 19:24

Përderisa nga opozita konsiderohet si mbingarkesë formimi i Ministrisë për Diasporës dhe si një mënyrë për të kënaqur apetitet e partnerëve të koalicionit, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thekson se edhe partitë tjera që sot kritikojnë, kanë pasur ide për krijimin e kësaj ministrie, madje kanë bërë fushatë me këtë çështje.

Ai ka pranuar se ka mbingarkesë të dikastereve dhe ka thënë se duhet të ketë zvogëlim të ministrive në një mandat të ardhshëm.

“Është një vendim i marrë nga partnerët e koalicionit, por siç dihet edhe nga partitë tjera ka pasur ide për krijimin e kësaj ministrie për diasporën. Me miratimin e Ligjit për Qeverinë sigurisht do të ketë nevojë për një ri-dizajnim të tërësishëm qeveritar. Pas miratimit të ligjit do të ketë ri-dizajnim të dikastereve. Gjatë mandatit qeverisës njerëzit e kanë të vështirë ndoshta të bëjnë zvogëlime apo ndryshime të dikastereve, por një mandat i ri sigurisht gjithsesi se do të kërkonte zvogëlim të ministrive”, ka thënë Kuçi.

Ai ka thënë se nuk ka përzierje të kompetencave ndërmjet zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, ministrit të Jashtëm dhe presidentes sa i përket politikës së jashtme.

Kuçi u është përgjigjur edhe akuzave të opozitës për devijimin e trasesë së autostradës Vërmicë-Merdare, duke thënë se nuk ka pasur miratim të trasesë në Kuvendin e Kosovës.

“Asnjë trase s’ka qenë e miratuar në Kuvend, por kanë qenë të propozuara në qeveri dhe ne e kemi si qeveri e kemi marrë vendimin. Ata që sot po bëjnë vërejtje e kanë propozuar një trase, por se kanë vënë kurrë për miratim as në qeverinë paraprake”, ka thënë Kuçi.

Ndërkohë, i pyetur për zgjedhjet në Partinë Demokratike të Kosovës, Kuçi ka thënë se në PDK nuk ka ndonjë trandje që sjellë nevojën për t’i mbajtur zgjedhjet.

“Në cilindo rast në parti politike ku dihet se nuk ndryshohet kryetari, zgjedhjet nuk janë lajm dhe PDK s’e ka në plan”, ka thënë Kuçi.

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur në vjeshtën e vitit të kaluar kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor, në të cilin ka zgjatur mandatin e strukturave udhëheqëse, ndërkohë pati paralajmëruar se këtë pranverë do ta mbajë kuvendin e rregullt zgjedhor.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›