E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet “Çeçeni”

Nga Express më 28 prill 2011 në ora 19:00

Gjaku i dëshmorëve rriti dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare, kurse ne të gjallët marrim amanetin e tyre ta bëjmë Kosovën shtet me institucione te forta, u tha me rastin e 12-vjetorit të rënies heroike të dëshmorit të kombit, Milazim Mavraj, i njohur me nofkën “Çeçeni”.

Në shënimin e këtij përvjetori morën pjesë familjarë të dëshmorëve, zyrtarë komunalë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, si dhe një numër i madh qytetarësh.

Demë Qeta, kryesues i kuvendit të komunës, ka thënë se në Rrasën e Koshares, Milazim Mavraj me bashkëluftëtaret tjerë të UÇK-së, i treguan ushtrisë serbe se vdekja nuk i frikëson, kurse lufta për liri i ngrit dhe i nderon.

“Gjaku i dëshmorëve rriti dinjitetin dhe krenarinë tonë kombëtare, kurse ne të gjallët marrim amanetin e tyre ta bëjmë Kosovën shtet me institucione te forta dhe ekonomi te nivelit te lartë, që fëmijët e tyre të rriten dhe shkollohen pa brenga”, ka thënë ai.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta një fjalë rasti mbajti Ganimete Visoqi, ndërkaq në emër të Brigadës 138 “Agim Ramadani” për veprën e Milazim Mavraj ka folur Nasim Haradinaj.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›