Shtimja vonohet 3 vjet për ndërtimin e stadiumit

Administrata e Shtimes vonohet gati 3 vjet në realizimin e një projekti nga fusha e sportit. Ndaj subjektet opozitare: LDK dhe LDD e kanë akuzuar Komunën për zvarritjen e ndërtimit të stadiumit të futbollit në qytezë, i nisur më 2010 me buxhet komunal. Kemajl Sadriu, këshilltar komunal (LDK), ka thënë se dëshira e tij është që të mos i mohojë arritjet e Shtimes, por edhe ngecjet dëshiron të mos i lejojë të qëndrojnë në hije, ndaj nisjen e projektit për stadiumin e futbollit e ka vlerësuar si të qëlluar, por gjykon mosfinalizimin e tij.
“Një qeverisje kreative këto investime do t’i kishte përfunduar, duke bërë kursime në projekte dhe në shpenzimet vjetore që mund të bëjë administrata si me automobila, enterier (mobile), karburante, telefona dhe reprezentacion etj”, ka thënë Sadriu.
Ai e ka kërkuar nga pushteti lokal të mos ngecë në projekte të tilla, sepse qytetarët po kërkojnë transparencë për dështimin e tyre.dhe Shaban Halimi, këshilltar (LDD), ka theksuar se është vrojtues i asaj që po ndodh në Komunën e Shtimes, ndaj zvarritjen e punimeve në stadiumin e futbollit e cilëson të paarsyeshëm, sepse në raportet financiare të Komunës raportohet se është punuar mjaft shumë, mirëpo në terren nuk po tregohen rezultate. “Zvarritja e këtij projekti është stërzgjatur pa arsye, sepse ka nisur më 2010, kështu që përderisa Komuna e harton projektin, ka mundësi edhe të sigurojë mjetet”, ka thënë Halimi.
Nga ana tjetër Mehdi Salihu, drejtor i Kadastrës... i Shtimes, ka thënë se mungesa e buxhetit u ka sjellë telashe për ta finalizuar projektin e sportit. “Me buxhet të Komunës kemi investuar 40 mijë euro dhe e kemi përfunduar fazën e parë të këtij projekti, mirëpo për mungesë mjetesh s’ kemi arritur ta përfundonim por kemi aplikuar në Ministrinë e Sportit për çfarë jemi fitues edhe të 70 mijë eurove të tjera për finalizimin e punimeve. Shpresojmë se me përmirësimin e kohës do të përfundojë projekt”, ka sqaruar Salihu./Indeksonline/