E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Jemi izoluar nga politika e korrupsionit

Kryetari socialist Edi Rama ka vazhduar dje turin e tij “Dialog me Shqipërinë”, në Rrethin e Tropojës.

Aristir Lumezi

I njohur si bastion i PD-së, vendlindja e Sali Berishës, Tropoja nuk është preferuar shumë të vizitohet nga drejtuesit socialistë, por as edhe nga ata të djathtë dhe vetë Berisha. Gjatë takimeve që ka zhvilluar me banorët e fshatit Bujan, Rama ka folur për bukuritë e rralla natyrore të kësaj zone, të cilat ende nuk janë vënë në shërbim dhe funksion të banorëve. Në takimin e zgjeruar me banorë të Bajram Currit, në të cilin shoqërohej edhe nga deputetët Sadri Abazi, Qemal Minxhozi, Namik Dokle, Arben Malaj dhe Andis Harasani, Rama tha se, politika e vjetër e paaftësisë dhe korrupsionit ka izoluar shqiptarët. “Ne jetojmë mes miliona mundësive. Por, ne jemi të izoluar nga politika e vjetër e paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe e korrupsionit, nga politikanët, të cilët në emër të së majtës apo të djathtës, na kanë ndarë, na kanë përçarë, na kanë futur në sherr, duke hapur mes nesh kanale dhe hendeqe, kanë hapur mes nesh gropa, duke na bërë që të grindemi me njëri-tjetrin deri në fshatin më të humbur, se kush është socialisti, e kush është demokrati”, tha Rama. Kryetari i socialistëve ka akuzuar politikën shqiptare e cila nuk ka krijuar një shtet për qytetarët e saj, por vetëm politikë për të marrë votat e shqiptarëve. Rama shprehu nevojën imediate e të bërit të shtetit për qytetarët e vet. “Ne na duhet një shtet, që t’i ketë sytë për të na parë, t’i ketë veshët për të na dëgjuar, ta ketë zemrën për të na ndier dhe ta ketë vullnetin për të na shërbyer. Të jetë një shtet i yni, një shtet i qytetarëve, jo një shtet i politikanëve, i interesave tona të përbashkëta, jo i interesave të atyre që me votën tonë, na afrojnë një shfaqje bajate në kutinë e televizorit, ku kacafyten në emrin tonë”, tha Rama. Kreu socialist ka kërkuar bashkimin e të gjithë shqiptarëve me politikën e re që në qendër ka qytetarin. “Ne na duhet politika e halleve tona dhe jo politika e politikanëve. Kjo politikë na ka lënë këtu ku jemi dhe kësaj politike ne duhet t'i japim fund, duke u bashkuar, jo për një parti apo një tjetër, por për të gjetur një parti që ka programin më të mirë, ekipin më të mirë dhe drejtuesin më të mirë.  Të bashkohemi si njerëz që duam të jetojmë në këtë vend, si njerëz që duam t’i rritim fëmijët tanë në këtë vend. Ne, duhet të bëhemi bashkë, në emër të dinjitetit tonë. Nuk kam ardhur këtu të mbaj një fjalim dhe të iki, por kam ardhur t’ju dëgjoj. Ne kërkojmë të ndërtojmë një program që t’ju jap zgjidhje disa problemeve kryesore, që vendi të mund të hyjë në rrugë të mbarë”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›