Shtohen kritikat ndaj BE-së
Ndërkohë shtohen kritikat për aftësinë menaxhuese në zgjidhjen e krizës së borxheve.
Fillimisht u fol për një shtyrje të samitit, pastaj papritmas me dëshirën gjermano-franceze një ndarje e samitit. Vendimet kryesore për ombrellën e shpëtimit të euros, për shpëtimin e bankave dhe ristrukturimin e borxhit të Greqisë nuk mund të merren para të mërkurës.
Pak para takimit të ministrave të Financave të grupit të euros të premten e kaluar në Bruksel, presidenti i euro-grupit, kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, shprehu fuqishëm pakënaqësinë për kaosin në planifikim.
"Efekti i jashtëm është katastrofik. Ne nuk japim këtu shembullin e duhur të një udhëheqje shtetërore të nivelit të lartë dhe në të ardhmen do të na duhet të shohim, se si do ta ndryshojmë sërish imazhin tonë", tha Juncker.
Franca dëshiron që fondi i shpëtimit të bëhet praktikisht një bankë. Ajo pastaj do të mund të huazonte para nga Banka Qendrore Evropiane.
Por sipas pikëpamjes gjermane, kjo do të rriste rrezikun për tatimpaguesit.
Përveç kësaj Berlini i druhet një inflacioni të mundshëm. Prandaj siç duket ky opsion nuk ndodhet më në tryezën e bisedimeve. Qeveria gjermane në vend të saj kërkon një zgjidhje përmes sigurimit.