E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen ndërtimet pa leje në autostradë, ALUIZNI: Do të prishen

Dy krahët e autostradës Durrës-Tiranë dhe ç’është më skandalozja edhe mbi kolektorët e Durrësit dhe Sukthit, janë mbuluar nga ndërtimet pa leje. Situata më problematike është në autostradën Tiranë-Durrës, ndërkohë që Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale deklaron se ato do të prishen.

Objektet pa leje në autostradë

Cilido që udhëton në linjën Durrës-Tiranë dhe ka qenë pak i vëmendshëm ka vënë re shkeljet që janë bërë me ndërtimet pa leje të cilat janë në kundërshtim me ligjin. Por më e keqja është se disa të tilla janë ndërtuar me lejen e institucioneve qendrore, edhe pse janë në kundërshtim flagrant me ligjin që normalizon ndërtimet në autostradë duke përcaktuar distancat. Zona më e ngarkuar me ndërtime pa leje, të cilat janë fare ngjitur me autostradën, janë ato të cilat nisin pranë mbikalimit te Ura e Dajlanit e që vazhdojnë deri te mbikalimi i Shkozetit. Në të dyja anët e autostradës objektet nga 1 deri disa kate i bëjnë karshillëk ligjit i cili përcakton qartë se ndërtimet lejohen në distancën 20 m nga rruga. Pjesa më e madhe e këtyre ndërtimeve janë shtëpi banimi. Pronarët e një pjese të mirë të këtyre banesave kanë aplikuar për t’i legalizuar ato e një pjesë ushtron trysni në këtë vit elektoral që të depozitojë dokumentet për legalizim, edhe pse afati ka skaduar prej kohësh. Nga ana e Sektorit Kombëtar Ndërtimor nuk është ndërmarrë asnjë nismë për pastrimin e kësaj zone nga ndërtimet pa leje dhe jashtë të gjitha kritereve.

Objekte pa leje edhe në kanale kulluese e kolektorë

Një tjetër shqetësim i madh janë edhe ndërtimet mbi kolektorë dhe mbi kanalet kulluese. Një vit më parë nga ana e Ministrisë së Bujqësisë u deklarua me të madhe se do të niste prishja e të gjitha ndërtimeve të cilat janë ngritur mbi kolektorë dhe mbi kanalet kulluese. Madje u tha se do të niste evidentimi i të gjitha ndërtimeve mbi këto objekte e më pas do të kalohet në prishjen e tyre. Por pas më shumë se një viti, jo vetëm që këto ndërtime nuk janë prishur, por janë shtuar dhe disa të tjera. Më tipik ky fenomen ka ngjarë në zonën e ish-Kënetës, nëpër të cilën kalon kanali i ujërave të zeza i qytetit të Durrësit, në plazh dhe në kodrat e Durrësit ku kalojnë kanalet e ujërave të larta. Tashmë, nuk ka një regjistër të saktë për të përcaktuar numrin e këtyre ndërtimeve, i cili e ka kaluar prej kohësh shifrën 200. Gjithsesi, shqetësimin e ka ngritur pranë ALUIZNI-t në Tiranë edhe shefi i degës së Durrësit, Andi Lila, i cili deklaroi për “Standard” se “çdo objekt i tillë pa leje nuk ka shanse të legalizohet, ai do të prishet

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›