E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Liberalizimi i vizave sjell sfida të reja për policinë

Konferenca Ministri i Brendshëm shprehet se brenda këtij viti do të shkojmë pa viza në BE

“Lufta kundër krimit, lufta kundër korrupsionit janë dhe mbeten prioritete kryesore të Policisë së Shtetit krahas sigurimit të rendit dhe sigurisë publike. Në këtë kuadër, pas liberalizimit të vizave, para Policisë së Shtetit dalin detyra të reja edhe më të rëndësishme, sfida të reja që duhen kapërcyer. Kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp, ku shtoi se shqiptarët do të lëvizin lirisht pa viza drejt Bashkimit Europian brenda këtij viti. Basha përmendi edhe angazhimin e qeverisë shqiptare në përmbushjen e kritereve shtesë të Komisionit Europian për heqjen e vizave. Për pyetjen e drejtuar për ministrin Basha, për vijueshmërinë e luftës kundër kriminalitetit dhe sfidat që do të dalin pas liberalizimit të vizave, shtoi se lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë nënkupton para së gjithash lehtësinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë në komunikimin e tyre me bashkëqytetarët europianë, por për Policinë e Shtetit shtrohen një sërë detyrash të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të luftës dhe goditjes së krimit, në veçanti krimit transnacional. Në këtë kuadër do të ketë një zbatim rigoroz të strategjive ekzistuese në veçanti të luftës kundër trafiqeve, krimit të organizuar dhe terrorizmit”. Më tej, ai u pyet edhe nëse Belgjika, e cila merr presidencën e radhës të BE-së, e sheh me skepticizëm liberalizimin e vizave. “Me presidencën e ardhshme belge, sikundër me presidencën spanjolle, kam pasur kontakte në nivelin e ministrave të Brendshëm dhe ministrave të Migracionit dhe ju deklaroj me përgjegjësi të plotë se Belgjika, sikundër vendet e tjera anëtare të BE-së, mbështet pa asnjë rezervë procesin e liberalizimit të vizave dhe mbështet pa asnjë rezervë propozimin e Komisionit Europian. Prandaj shpreh bindjen e plotë se gjatë presidencës belge do të jemi edhe në fazën përfundimtare të marrjes së vendimit dhe futjes në veprim, duke lejuar lëvizjen e shqiptarëve pa viza brenda këtij viti”, tha ministri. Ministri Basha iu përgjigj gjithashtu një pyetjeje nga gazetarët, lidhur me përmbushjen e kritereve shtesë të përcaktuara nga komisioni deri në kohën kur të vijnë ekspertët. “Siç e vutë re edhe nga deklarata ime, ne angazhohemi plotësisht për përmbushjen e të tria kritereve brenda afatit. Ka përfunduar hartimi i draftit dhe së shpejti do t’i parashtrohet për miratim organeve përkatëse, Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave dhe Këshillit të Ministrave. Për dy kriteret e tjera, dua të theksoj edhe njëherë se janë tregues vazhdimësie, pra as nisin dhe as përfundojnë me liberalizimin e vizave, por tregojnë se edhe gjatë muajve të verës shteti shqiptar nuk e braktis punën dhe shkon të bëjë banjë dielli, por vazhdon me përkushtim punën, e cila do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave”, përfundoi Basha.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›