Shtohen taksat për duhanpirësit, rregullore e re për TVSH-në
Kompanitë e prodhimit dhe tregtimit të cigareve pritet t’i nënshtrohen një rregulloreje të re për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, e cila pritet të rrisë edhe sasinë reale të tatimit të paguar nga këto subjekte. Një udhëzim i ri i Ministrisë së Financave, i cili u publikua dje, detyron kompanitë e cigareve të publikojnë në minimalisht dy gazeta, çmimet maksimale të shitjes me pakicë të cigareve, çmime mbi të cilat do të paguajnë edhe Tatim mbi Vlerën e Shtuar.
“Furnizuesit kryesorë janë të detyruar të deklarojnë çmimin maksimal të shitjes me pakicë për çdolloj pakete dhe çdolloj cigareje. Furnizuesit janë të detyruar të publikojnë deklaratën e ndryshimit të çmimit maksimal të shitjes me pakicë në jo më pak se dy gazeta ditore nacionale. Për efekte marketingu, çmimet maksimale mund të vazhdojnë të publikohen në çdo media të shkruar apo elektronike për aq kohë sa këto çmime janë në fuqi”, thuhet në udhëzimin e ri.
Dy vjet më parë, Ministria e Financave detyroi kompanitë e cigareve dhe të karburantit të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar mbi çmimin final të shitjes së këtyre produkteve, gjë që rriti efektivisht edhe taksat e paguara nga konsumatori. Por gjatë zbatimit të rregullit të ri, u vu re fakti se shitës të ndryshëm cigaresh, zbatojnë çmime të ndryshme shitjes, të cilat variojnë zakonisht me 10 lekë për paketë. Synimi i udhëzimit të fundit është që edhe 10 lekëshi të mos mbetet pa u taksuar. Qeveria duket se është në vështirësi të konsiderueshme financiare dhe po synon prej kohësh të zgjidhë problemet e veta përmes rritjes së taksave. Akciza mbi cigaret u rrit me 10 lekë për paketë pak muaj më parë, gjë që solli një rritje të çmimit final me 10-20 lekë për paketë. Që nga viti 2005, akciza e cigareve është dyfishuar nga 25 lekë për paketë në 50 lekë për paketë. Rritje me dy apo tri herë ka pësuar edhe akciza e naftës, birrës apo kafesë.
#