Tiranë, adoleshentja merret peng dhe përdhunohet
Një adoleshente është marrë peng dhe përdhunuar nga dy persona, ndërkohë që policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e agresorëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në mes të Tiranës, ku vajza e re është marrë me forcë, teksa ishte duke shkuar në shkollë. Sipas të dhënave policore, Armonda 18-vjeçare, me banim në Vaqar, është “viktima” e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ajo ka treguar se pikërisht pesë ditë më parë, rreth orës 09:30, kur ka qenë duke shkuar në shkollë, pasi studion në shkollën e mesme teknologjike, dy persona i janë afruar me një makinë tip “BMW”, ngjyrë e bardhë, me targa të huaja. Ata kanë dalë nga makina dhe i kanë vënë një qese të zezë në kokë dhe më pas e kanë marrë me forcë në makinë. Ajo ka treguar se gjatë gjithë rrugës nuk ka parë asgjë, veçse është kërcënuar se do e vrasin po të kryente ndonjë veprim. Më pas, sipas saj, e kanë dërguar në një banesë private në një nga fshatrat e Tiranës, që nuk e dinte tamam se ku.
Megjithatë, ajo ka treguar se ishte rreth gjysmë ore larg Tiranës. Aty e ka përdhunuar njëri prej dy rrëmbyesve, të cilin nuk e njeh, pasi sipas dëshmisë, nuk ia kanë liruar sytë të shikojë. Ashtu, siç ka qenë e përdhunuar, ajo ka treguar se e kanë vënë sërish në makinë dhe e kanë sjellë, ku e kishin marrë. Më tej, ajo ka shpjeguar për oficerin e policisë, se aty ka mundur të dallojë makinën, me të cilën ata janë larguar me shpejtësi. Por, denoncimin e ka kryer vetëm dy ditë më parë. Sipas saj, ajo kishte frikë të tregonte se çfarë kishte ndodhur dhe për këtë arsye nuk ishte paraqitur në polici. Sapo është kryer ky kallëzim, policia ka dërguar analizat për ekspertizë mjekoligjore. Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se rezulton se vajza ka kryer marrëdhënie seksuale, por ende nuk dihet nëse ka qenë përdhunim. Për këtë arsye, policia po heton me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje kriminale.
#