E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohen 130 mësues, do ti drejtohen gjykatës

Dibër Reforma në arsim ka prekur edhe arsimtarët e kualifikuar në këto zona

Reforma në sistemin arsimor parauniversitar ka prekur edhe Qarkun e Dibrës. Burime nga Drejtoria Rajonale Arsimore Dibër bëjnë me dije se është njoftuar për shkurtim të vendeve të punës, për 130 mësues, të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, nga tre rrethet e këtij qarku, Dibër, Bulqizë dhe Mat. Shkurtimet e vendeve të punës për këta mësues bëhen në bazë të një urdhri të ardhur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në të cilën thuhet se në kuadër të reformës në arsim, largohen nga puna 130 mësues në rang qarku. Ndarë sipas rretheve numri i këtyre shkurtimeve do jetë për Dibrën 45 mësues, Bulqiza 20 dhe Mati 65 arsimtarë. Ndërkohë veç shkurtimeve në kuadrin mësimdhënës, mësohet se do të ketë shkurtime edhe për punonjësit e tjerë ndihmës të sistemit arsimor. Sipas shkresës së ardhur nga MASH-i, do të largohen nga puna kryesisht mësuesit me kontratë dhe jo ata me vendim. Po kështu në bazë të kësaj shkrese, merret vesh se janë përcaktuar kategoritë e punonjësve që preken nga shkurtimet, ku përveç mësuesve me kontratë, do të largohen nga puna edhe nëndrejtorët, si dhe ata që kanë një numër të vogël nxënësish, poshtë normës, në klasat që mësojnë. Shkurtimet mësohet se do të prekin më shumë zonat rurale ku dhe numri i mësuesve pa arsim përkatës është edhe më i madh, por nuk do të mungojnë rastet, kur do të preken edhe mësues të vjetër, të cilët mbushin moshën e pensionit nga muaji janar i këtij viti dhe deri me hyrjen në fuqi të këtij urdhri, që pritet të nisë zbatimin gjatë këtyre ditëve. Deri më tani mësohet se DRA-ja Dibër dhe Zyrat Arsimore, Mat dhe Bulqizë, kanë bërë studimet e duhura, për të përcaktuar numrin e mësuesve që do të largohen nga puna. Menjëherë me ardhjen e kësaj shkrese, nga MASH-i, kanë reaguar mësuesit, të cilët janë lajmëruar që më 1 mars duhet të lënë vendet e punës, pasi e quajnë vendimin si diskriminues për ta. Kështu një pjesë e mësuesve thonë se e kanë rinovuar kontratën e tyre të punës në fillim të këtij viti shkollor 2009-2010. Të tjerë thonë se kanë stazh të gjatë prej dhjetra vitesh në arsim, si dhe kanë marrë kualifikimet e duhura për këtë punë. Duket se të gjithë mësuesit që rrezikohen të largohen nga puna, bien në një mendje kur thonë se do t’i drejtohen gjykatës, për këtë padrejtësi siç e quajnë ata, largimin e tyre nga puna. Në realizimin e këtyre shkurtimeve, mendohet se më tepër probleme do të ketë në rrethin e Matit, pasi numri i mësuesve me arsimin e duhur shkon në rreth 92 për qind dhe më lehtë do ta kenë rrethet Dibër dhe Bulqizë, ku ky numër është më i vogël. Sidoqoftë edhe vetë shkollat, do të dëmtohen cilësisht nga këto largime të mësuesve, të cilat bëhen në mesin e vitit shkollor.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›