E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen vetëvrasjet në burgje, 11 tentativa



TIRANE - Vetëvrasjet në institucionet e burgimit dhe paraburgimit u vlerësuan si një ndër problemet më shqetësuese dje në analizën e punës për vitin 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ndërkohë Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, lëshoi dje një sërë kritikash mbi sistemin e burgjeve, për praninë e telefonave celularë në qeli. Kreu i burgjeve, Gazmend Dibra, pohoi dje se në shkallë vendi për vitin 2009 janë regjistruar 4 vetëvrasje, ndërsa 11 raste të tjera kanë rezultuar si tentative për vetëvrasje. Sipas Dibrës, shkak ka qenë problemet personale të viktimave, mospërballimi i dënimeve afatgjata dhe shkaqe depresive. Gjithashtu Dibra evidentoi edhe 21 raste kur të dënuarit kanë refuzuar ushqimin.
Numri një i Burgjeve cilësoi gjithashtu si problematike: ardhjen me vonesë të vendimeve dhe urdhrave të ekzekutimit nga gjykata dhe prokuroritë, si edhe kërkesat e të dënuarve për aplikimet e amnistive të kaluara që duhet të zgjidhen përmes gjykatave. I ftuar në analizë, ministri Nishani theksoi dje rritjen e sigurisë në regjimin e brendshëm të burgjeve. "Do të synojmë një regjim të brendshëm shumë korrekt dhe shumë strikt, që duhet të japë impaktin e qëllimit të ekzekutimit të vendimit penal", u shpreh Nishani. Duke pohuar futjen e telefonave celularë në burgje, ministri tha se "ne nuk do të pranojmë që persona nën hetim të kenë një regjim mjaft liberal jashtë rregullave, të cilët mund të komunikojnë lirshëm me kriminelët jashtë institucioneve të para-burgimit". ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›