E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja ‘kryqëzon’ Kaka, Runi, një hero në Angli



Leonard Karaj

Gazetat spanjolle kanë kritikuar ashpër lojën e brazilianit Kaka pas humbjes së Realit në Champions, ndërsa ato britanike i kanë thurur elozhe Uejn Runit, shënuesit të dy golave në “San Siro” ndaj Milanit. Humbja e mbrëmjes së martë në fushën e Lionit ka vënë në dyshim të ardhmen e Kakasë te Real si dhe kualifikimin e kësaj të fundit për më tej në Ligën e Kampioneve. I akuzuari kryesor për këtë dështim, braziliani Kaka, i vënë edhe më parë në shënjestër nga mediat spanjolle për formën e dobët që po tregon në fushën e lojës, është konsideruar si një blerje dështake e madrilenëve. Gazeta “AS”, shkruan: “Në fushë nuk ekzistoi”. Ndërsa sulmuesi ka reaguar menjëherë, duke thënë se dështimi erdhi për faj të gjithë skuadrës. Edhe gazeta “Marca” ia faturon një pjesë të madhe të fajit, lojtarit që kushtoi mbi 65 milionë euro. “Kaka, ashtu si Ronaldo e nisi mirë takimin por më pas, për pjesën më të madhe u zhduk në fushë duke mos e kaluar asnjëherë kundërshtarin. Ai tregoi se sa larg formës ideale është”, shkruhet mes të tjerash në këtë të përditshme.
Ndërsa në Angli “froni mbretëror” i ka kaluar Uejn Runit. Sulmuesi i Mançesterit është konsideruar si “mbreti” i “San Siros”. “Nuk kishin shans ta mbanin në pjesën e dytë. Ai u dha një leksion futbolli italianëve”, shkruan tabloidi The Sun. Ndërsa Dailymail tregon transformimin që Ferguson i ka bërë këtij futbollisti, i cili ka shënuar 25 gola deri tani për këtë sezon me Mançester.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›