Tenderi i uniformave,kapet biznesmeni
TIRANE - Gjykata e Lartë liroi dje me masën e sigurisë "detyrim paraqitjeje" 49-vjeçarin kryeqytetas Tahir Imami, ish-shef i Programimit të Prokurimeve në Gardën e Republikës, i arrestuar për korrupsion në tenderin 1.7 miliard lekësh për uniformat e Ministrisë së Brendshme. Vendimi për lirimin e tij u shpall mesditën e djeshme pasi gjykata dëgjoi pretendimet e avokatit mbrojtës dhe përfaqësuesit të prokurorisë, ndërsa argumentoi se nuk dëmtoheshin aspak hetimet nëse zbutej masa e sigurisë në ngarkim të të pandehurit. Imami ndodhet në qeli që prej 22 dhjetorit të vitit të kaluar, kur u vu nën pranga së bashku me 6 persona të tjerë, zyrtarë dhe biznesmenë të arrestuar për korrupsionin 125 mijë euro në tenderin 1.7 miliardë lekë të vjetra. Prokuroria njoftoi dje se është vënë në pranga në Bullgari biznesmeni Ilir Sulo, i akuzuari kryesor në këtë çështje. Sipas akuzës, Sulo është personi që ka ndërmjetësuar mes kolegëve të vet biznesmenë dhe zyrtarëve të shtetit për të përcaktuar fituesit e loteve të tenderit, që në total shkonte 1.7 miliardë lekë të vjetra. Sulo, sipas policisë, ishte larguar nga territori shqiptar drejt Bullgarisë më datë 21 dhjetor, një ditë para se të dilte urdhri i arrestit për të, të cilin e firmosi Gjykata e Tiranës në mungesë. Pas kontrollit të kryer nga hetuesit në sistemin ndërkombëtar TIMS, ka rezultuar se Sulo ishte larguar nga territori shqiptar me destinacion të deklaruar Bullgarinë. Pas kësaj ishte firmosur urdhër-arresti dhe i ishte dërguar autoriteteve homologe bullgare, të cilët kanë mundur ta vënë në pranga Sulon ditën e djeshme, për llogari të autoriteteve ligjore shqiptare. f.m.