E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ortak" me Lul Berishën, lirohen pronat e deputetit



Fatos Mahmutaj

Sekuestrohen pronat e Lul Berishës, lirohet pallati i deputetit socialist Hazir Gashi që u sekuestrua nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Vendimi për këtë çështje u shpall pasditen e djeshme rreth orës 16:20 nga Gjykata e Lartë, e cila shqyrtoi në seancën e zhvilluar dy javë më parë pretendimet e organit qendror të akuzës nga njëra anë, avokatëve të kapos së burgosur të Bandës së Durrësit dhe deputetit Gashi nga ana tjetër. Kolegji Penal, pesë anëtarësh i Gjykatës së Lartë, në vendimin e shpallur pasditen e djeshme pohoi se linte në fuqi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërsa priste si të pambështetur në ligj dhe prova vendimin e Apelit për Krime të Rënda. E thënë ndryshe, në këtë mënyrë mbetej në fuqi vetëm vendimi për sekuestrimin e pasurive të Lulzim Berishës, ndërsa liroheshin pronat e familjarëve të tij. Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të vitit të kaluar vendosi të sekuestronte pasuritë e ish-kapos së Bandës së Durrësit, të cilat ishin tre sipërfaqe 6000, 9000 dhe 4000 metër katrorë, në territorin e ish-Ndërmarrjes Bujqësore Frutore Durrës, të blera nga Lulëzim Berisha respektivisht më datë 8 shkurt 2005; 27 dhjetor 2003; si dhe 26 dhjetor 2003. Po ndryshe nga Gjykata e Faktit për Krime të Rënda, Apeli e zgjeroi këtë vendim duke pranuar kërkesën e prokurorisë për të vënë nën sekuestro edhe pronat e familjarëve të tij. Kështu Apeli sekuestroi edhe pasurinë "Ullishte", 1500 metër katrorë, në fshatin Shkallnuer të rrethit Durrës, e blerë nga Valbona Berisha, më datë 23 mars 2004. Ndërkohë u sekuestruan edhe 25 % e pallatit të ndërtuar nga firma e ndërtimit e deputetit socialist, Hazir Gashi, mbi pasurinë 3300 metër katrorë, të Luljeta Berishës në lagjen numër 17 të qytetit të Durrësit. Në kullën veriore, 1184 m2, sipërfaqe banimi; në kullën qendrore 499 m2 sipërfaqe banimi dhe në kullën jugore 1643 m2 sipërfaqe banimi. E thënë ndryshe kjo pasuri ishte në 32 apartamente banimi. Po kështu u sekuestruan 600 m2 dyqane në këtë pallat si dhe 23 garazhe të ndryshme automjetesh. Bashkë me këtë Apeli vendosi sekuestrimin edhe të një mjeti fuoristradë, tip "BMW X5" me targë DR 4500 D dhe një sipërfaqe tjetër 234 m2, me emrin "Kaldaja". Pas kësaj, avokati i të akuzuarit si kapo i bandës së Durrësit dhe avokati i ngarkuar nga Gashi iu drejtuan Gjykatës së Lartë duke kërkuar lirimin e pronave, pasi sipas tyre, këto pasuri nuk kishin lidhje me çfarë akuzohej i arrestuari Berisha. Për më tepër, sipas avokatëve, pronat e familjarëve të Lulzim Berishës ishin blerë prej tyre konform ligjeve dhe me të ardhura të ligjshme të deklaruara si fitim nga bizneset. Por ndryshe nga kjo, përfaqësuesit e organit të prokurorisë pretenduan para të tria shkallëve të gjyqësorit se këto pasuri duhet të viheshin nën sekuestro pasi kishin prejardhje nga para të fituara në rrugë kriminale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›