E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen virozat. 50 vizita ne dite ne Urgjencen e Tiranes

Ftohja e motit dhe ndryshimi i shpeshtë i temperaturave shton numrin e të prekuve me viroza, të shoqëruara me temperaturë të lartë. Mjekët në Urgjencën e Tiranës thonë se shkojnë në mbi 50 vizita në ditë, në shtëpitë e të sëmurëve, ku dominojnë virozat apo komplikacionet e ardhura prej tyre. Ndërsa për medikamentet mjekët thonë se gjatë kësaj kohe nuk mungojnë.

“Rritja e vizitave ka filluar. Tani arrijmë mbi 50 vizita në ditë. Mbizotërojnë ata që janë të sëmurë me virozat e stinës. Shqetësim paraqesin edhe të sëmurët kronikë, kryesisht ata me sëmundje zemre dhe sëmundje të mushkrive. Inventari i çantës së medikamenteve ka ardhur gjithnjë duke u përmirësuar. Sot disponojmë në çantë mjekësore medikamente që nuk i kishim para disa vjetësh”- tha mjeku i Urgjencvës së Tiranës, Sali Rexhepi.

Për rastet e rënda, që shoqërohen me komplikacione, mjekët e urgencës thonë se bëjnë shoqërimin e të sëmurëve në Qendrën Spitalore, Nënë Tereza, për një shërbim më të specializuar. Ata theksojnë se një pjesë e qytetarëve kërkojnë ndihmë kur gjendja e tyre shëndetësore rëndohet dhe kur komplikacionet tashmë janë të pashmangshme.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›