E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tunizi vota e pare pas rrezimit te Ben Ali

Tunizianët janë vënë në radhë përpara qendrave të votimit për zgjedhjet e para të përgjithshme që nga rrëzimi i regjimit të presidentit, Ben Ali. Atmosfera është mjaft entuziaste në këtë vend, i pari që nisi Pranverën Arabe dhe kërkon tranzicionin drejt demokracisë. Qytetarët për herë të parë mendojnë se vota e tyre ka rëndësi dhe duken të vendosur të shprehin vullnetin për zgjedhjen e asamblesë parlamentare.

Kjo asamble do të ketë detyrën e hartimit të një kushtetute të re, instalimin e një Ekzekutivi të përkohshëm dhe ndërtimin e institucioneev demokratike. Një nga pasojat e revolucionit të janarit në Tunizi është që islamistët që për vite ndaloheshin të merrnin pjesë në jetën politike, madje edhe burgoseshin për këtë arsye, do të jenë në garë për të qeverisur Tunizinë.

Rachid Ghannouchi, kreu i partisë kryesore Islamiste, Enahda,  duke u bashkuar me radhën e gjatë të votuesve, tha se Tunizia po rilind. Partia e tij pritet të ketë një numër të kondiderueshëm votash në asamblenë e re.
"Kjo është një ditë historike. Tunizia rilindi sot, Pranvera Arabe shënoi një zhvillim, jo në kuptimin e rrëzimit të diktatorëve, por në kuptimin pozitiv të ndërtimit të sistemit demokratik, që përfaqëson popullin”- tha Ghannouchi.

Tunizianët rrëzuan dekada të një regjimit autokratik në janar, kur detyruan përmes protestave largimin e presidentit Ben Ali. Revolucioni i tyre u përhap shpejt në Egjipt, Libi, Siri dhe Jemen, e kjo ka riformatuar peizazhin politik në Lindjen e Mesme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›