Vrasja e Konomit, “errësirë"në kamerat pranë vendit të ngjarjes
Dështon një tjetër provë e prokurorisë për zbardhjen e autorëve që qëlluan ndaj Franc Konomit mesditën e 8 korrikut në mes të Tiranës. Filmimet e kamerave të sigurisë të një banke private pranë sheshit “Avni Rustemi” kanë kapur një pjesë të automjetit tip “Benz Mercedes” të viktimës, por jo autorët e vrasjes, të cilët mendohet se kanë lëvizur me një motoçikletë, të paktën sipas dëshmitarëve okularë. Një CD me filmime në orarin e ngjarjes së 8 korrikut ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, pranë grupit hetimor i cili kryesohet nga prokurori Blerim Tominaj. Megjithëse është sezon pushimesh, hetuesit e çështjes vazhdojnë të marrin të dhëna të dobishme për ngjarjen, duke u fokusuar te provat e gjetura në vendngjarje. Disa ditë më parë, grupi hetimor ka marrë në dorë tabelat fotografike të vendit të ngjarjes, të viktimës dhe të zonës përreth. Gjatë këqyrjes janë vënë re se pranë sheshit “Avni Rustemi”, ku u vra Franc Konomi, ushtron aktivitetin një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri. Sipas procedurave, bankat duhet të kenë një sistem të mirë sigurimi, të pajisur edhe me kamera sigurie. Hetuesit e çështjes kanë marrë kontakte me drejtuesit e bankës në fjalë për servirjen e një CD-je me filmime në orarin e ngjarjes. Provat e filmimeve u janë servirur hetuesve të çështjes disa ditë më parë, ndërsa menjëherë ka filluar verifikimi i tyre nga specialistë të fushës. Megjithatë, filmimet e bankës nuk kanë mundësuar identifikimin e autorëve të mundshëm, pasi rrezja e filmimit ishte shumë e vogël dhe fokusohej kryesisht te hyrja e godinës së bankës dhe nuk shtrihej në rrugën kryesore. Sipas hetuesve të çështjes, nga filmimet duket një pjesë e automjetit të Konomit dhe jo motoçikleta ku mendohet se kanë qenë dy ekzekutorë. Grupi hetimor ka analizuar të gjitha faktet e nxjerra në dritë deri tani dhe janë lënë detyrat për të vazhduar hetimet, me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, që tronditi Tiranën. Sipas të dhënave, analiza e parë u është bërë provave të gjetura në vendin e ngjarjes, duke nisur që nga plumbat e shtënë, gjurmët e ndryshme, viktima, telefoni i tij, apo edhe gëzhojat e sekuestruara. Më tej, hetuesit kanë kryer gjithë veprimet mbi mjetin ku u vra Franc Konomi, duke e parë nëse ai ishte i rregullt që nga pronësia, e deri tek aktet e shitblerjes. Mjeti ka rezultuar se ka ardhur nga Italia dhe menjëherë vetë 42-vjeçari, i cili u vra më 8 korrik, ka kryer procedurat për pajisjen e tij me targa shqiptare. Më tej dosja është parë për të gjitha telefonatat e kryera atë ditë nga Konomi, ose nga ato që ka pritur, ku janë thirrur edhe dëshmitarët përkatës. Grupi i punës ka analizuar të gjitha dëshmitë e mbledhura dhe i ka krahasuar ato me njëra-tjetrën, duke lënë edhe detyra përkatëse për disa prej personave, të cilët kanë lëshuar deklarata në polici. Disa nga të thirrurit prej policisë, pasi mund të kenë dijeni për ngjarjen, do të thirren sërish, me qëllim saktësimin e thënieve të tyre për disa probleme që ka pikasur grupi hetimor. Janë vlerësuar edhe njëherë gjithë pistat e hetimit, duke filluar që nga ato të hakmarrjes, deri te konfliktet, ku Franc Konomi mund të ishte përzier ndër vite. Por, grupi hetimor ka shpjeguar se nga të dhënat e familjes nuk ka mundur të konkretizojë asnjë pistë me këto hetime, pasi nuk ka pasur dyshime konkrete. Një pistë e re hetimore ka të bëjë me një vrasje të ndodhur në shtetin e Spanjës, ku një i ri është ekzekutuar në një sallë lojërash fati. Mendohet se i pranishëm në këtë ekzekutim ka qenë edhe Konomi. Një tjetër pistë ka të bëjë me një borxh prej 1 milion eurosh që viktima u kishte disa “tregtarëve” të lëndëve narkotike.
#