E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet numri i vetëvrasjeve në ushtrinë amerikane

Për shumë veteranë të luftërave në Irak dhe Afganistan, kthimi në shtëpi është më i vështirë sesa koha e kaluar në luftë dhe shkalla e vetëvrasjeve mes ushtarakëve po shkon drejt rritjes, duke tejkaluar vetëvrasjet mes popullsisë civile amerikane.

Në një kohë kur vetëvrasjet në ushtri kapin numrin e afro një ushtari në ditë, udhëheqja ushtarake dhe familjarët e ushtarëve po kërkojnë gjetjen e një përgjigje për të ndalur këtë dukuri.

Ushtria filloi trajnimin për parandalimin e vetëvrasjeve vite më parë, por veprimtarët thonë se sistemi me një strukturë të rreptë i kategorizimit të pacientëve po dështon në marrjen e përgjegjësive për individët e rrezikuar që kërkojnë ndihmë. Rezultati: mundësi të humbura.

Ekspertë të qeverisë amerikane për shëndetin në një konferencë të kohëve të fundit në Washington thanë se 70 për qind e personave që kanë bërë vetëvrasje në ushtri janë konsultuar me mjekun dhe se shumë prej tyre janë vetëvrarë të njëjtën ditë.

Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta thotë se çështja e vetëvrasjeve është ndoshta sfida më dëshpëruese që ka ndeshur në këtë post.

“Nuk ka përgjigje të lehta ndaj problemit dhe sfidës së vetëvrasjeve, por nuk është shkak për mos gjetjen e zgjidhjes së problemit për vetëvrasjet”, theksoi Panetta.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›