E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet numri i viktimave të shpërthimit në Rusi

Numri i të vdekurve si pasojë e shpërthimit të bombës në qytetin Stavropol, në jug të Rusisë, është ngritur sot në shtatë, ndërsa 16 persona tjerë janë në gjendje mjaft kritike, kanë njoftuar mediet ruse.

Shpërthimi ndodhi të mërkurën, para fillimit të një koncerti të një kompanie për vallëzim, e cila është e lidhur me presidentin pro-rus të Çeçenisë, Ramzan Kadyrovin.

Rusia theksoi se hetuesit kanë hapur një rast kriminal, bazuar në ligjet për terrorizëm, pas shpërthimit që goditi Stavropolin, rajon ky që kufizohet me republikat myslimane në Kaukazin Verior.

Militantët islamikë janë zotuar se do të intensifikojnë fushatën e sulmeve nëpër qytetet ruse. Në mars, dy sulmuese vetëvrasëse vranë 40 persona në metronë e Moskës, sulme këto që ishin më të rëndat në territorin e Rusisë që nga viti 2004.

Një mjek në Stavropol theksoi se numri i të vdekurve është ngritur në shtatë dhe se 16 persona tjerë janë në gjendje kritike, me lëndime të pësuara në kokë, bark dhe gjoks.

Vitin e kaluar, presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, urdhëroi që rajoni i Stavropolit të përfshihet në Qarkun e ri Federativ të Kaukazit Verior, së bashku me Çeçeninë, Dagestanin dhe Ingushetinë, në përpjekje për të frenuar dhunën gjithnjë e më të madhe në këtë rajon.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›