E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet test i ri për Sakashvilin

Presidenti i Gjeorgjisë, Mikhail Sakashvili, të dielën do të përballet me testin e parë zgjedhor, që nga lufta shkatërrimtare me Rusinë në gusht të vitit 2008, në kuadër të zgjedhjeve lokale dhe për prefekt të Tbilisit.

Udhëheqësit e opozitës, disa prej të cilëve kanë bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me Rusinë, dëshirojnë të shfrytëzojnë zgjedhjet, për t’u pozicionuar për zgjedhjet presidenciale në vitin 2013, kur Sakashvili pritet të largohet pas një dekade në pushtet.

“Është kjo mundësia e parë për të kuptuar se çfarë përkrahje gëzon qeveria, pas luftës në vitin 2008”, deklaroi Lawrence Sheets, nga Grupi Ndërkombëtarë i Krizave (ICG).

“Prandaj opozita, apo elemente të ndryshme të opozitës, kanë tentuar që këto zgjedhje t’i portretojnë si një referendum për qeverinë aktuale dhe politikat e saj”, shtoi ai.

Por e zhytur në dallime dhe pa një platformë të qartë, opozita duket se nuk do të jetë në gjendje të ofrojë alternativë për pushtetin e Sakashvilit.

Kryeqyteti Tbilisi, ku jetojnë një e katërta e 4.5 milionë banorëve të Gjeorgjisë, të dielën për herë të parë do të zgjedhë drejtpërsëdrejti prefektin dhe ky funksion konsiderohet si një shteg drejtë presidencës. Favorit për të ngadhënjyer konsiderohet prefekti aktual, Gigi Ugulava, nga radhët e partisë së Sakashvilit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›