E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohet tensioni në PS, ashpërsohet qëndrimi ndaj LMN

32 ditë nga skadimi i mandateve, deputetët në pritje të grupit

Teksa ndodhemi vetëm 32 ditë larg afatit Kushtetues për djegien e mandateve të deputetëve në Kuvend, tensioni në Partinë Socialiste shfaqet edhe më dukshëm. Asnjë prej deputetëve të selisë rozë nuk është në gjendje të të thotë nëse do të ketë një hyrje në parlament apo jo. Sakaq, një mbledhje e grupit parlamentar socialist pritet të mbahet së shpejti për të dalë në një vendim zyrtar, i cili mund të shënojë krisjen e pakthyeshme me Lëvizjen për Mendimin Ndryshe.
Mbledhja
Burimet nga selia rozë thonë se shumë shpejt mund të lajmërohet një mbledhje e grupit parlamentar, ku do të diskutohet lidhur me strategjinë e opozitës. Kur vjen fjala te vendimi, të gjitha opsionet janë në tavolinë. Opsioni i parë është ai i vazhdimit të bojkotit deri në uljen në një tryezë negociatash me mazhorancën e drejtuar nga Kryeministri Sali Berisha. Në këtë opsion, tryeza me ndërmjetësimin e Topit do të ishte një garanci për të shkëmbyer thyerjen e bojkotit me një sukses në objektivat e lëvizjes. Një tjetër opsion është ai i thyerjes së bojkotit dhe realizimit të betimit në seancën parlamentare. Pas këtij veprimi mund të kalohet në tërheqjen nga Parlamenti deri në realizimin e kërkesave të opozitës. Në një situatë të tillë ka shumë gjasa që pesë deputetët e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS të qëndrojnë brenda Parlamentit për të mos dalë sërish.
Përplasjet
Ben Blushi, Kastriot Islami, Arben Malaj, Andis Harasani dhe Marko Bello kanë lajmëruar sfidën e radhës për lidershipin e partisë. Ata do të shfrytëzojnë mbledhjen e grupit parlamentar për të kërkuar kthimin në Parlament përmes një platforme konkrete që parashikon ndryshime në Kushtetutë, Kodin Zgjedhor dhe reforma të tjera. Që prej turit të fundit në Bruksel, reagimi zyrtar ndaj pesë deputetëve të LMN-së është dukshëm agresiv. Duket shumë e vështirë që grupi “antibojkot” të mund të dalë me sukses në një votim brenda grupit parlamentar apo më tej në Asamblenë Kombëtare. Nëse pak ditë më parë replikat publike mes Blushit dhe Ramës nuk shiheshin, që pas turit në Bruksel kreu i socialistëve ka filluar të sulmojë ashpër LMN-në. Para dy ditësh ai i cilësoi si individë të sponsorizuar nga Sali Berisha dhe se flisnin kundër opozitës me gjuhën e tij.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›