Anëtari i senatit italian, vlerëson idetë e Breivikut

Një anëtar i Senatit italian i ka vlerësuar idetë e Andres Breivikut, i cili gjatë këtyre ditëve është etiketuar edhe si mostra norvegjeze, si "të mira" dhe në disa raste "të shkëlqyera" . Mario Borgezi, i cili është anëtar i partisë së Ligës së Veriut dënoi dhunën e ushtruar nga Breiviku, por mbështeti idetë e tij kundër islamit.
Liga e Veriut është një nga partitë që qeverisin me Silvio Berluskonin. Deklaratat e bëra nga Borgezi në një intervistë për një radio italiane kanë revoltuar një pjesë të madhe të popullsisë të cilët kanë kërkuar që deputeti të paraqesë menjëherë dorëheqjen. " Jam dakord me Breivikun përsa i përket faktit që Europa është dorëzuar ndaj islamizmit pa bërë asnjë lloj rezistence", tha Borgezi.
Pas deklaratave të tij kanë ardhur edhe reagimet e politikanëve europianë. "Zemra ime është me të gjitha viktimat e Norvegjisë", deklaroi Niki Sinkelr, ish-deputet i Parlamentit Europian. Ai theksoi se deklaratat e Borgezit janë të tmerrshme dhe krijojnë mostra. Megjithatë, Borgezi nuk ka qenë deputeti i vetëm që ka përkrahur idetë e Breivikut.
Një anëtar i partisë Fronti Kombëtar në Francë, Zhak Kutel, është pezulluar pasi ka shkruar në blogun e tij se norvegjezët nuk duan të tregojnë se arsyeja e akteve terroriste ishte moslejimi i përhapjes së islamizmit në Norvegji. Zhak Kutel e ka vlerësuar Breivikun si "mbrojtësi i vetëm i perëndimit".