E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtrengohen procedurat per gjobat ne mungese

Ndryshohen procedurat për vendosjen e gjobave në mungesë për drejtuesit e automjeteve. Në procedurat e reja bëhet e domosdoshme që të dhënat e mjetit të konstatuar me shkelje në mungesë punonjësi i policisë rrugore njofton oficerin e sallës operative, i cili mban shënim në kohë reale të dhënat dhe shkeljen e konstatuar nga punonjësi i policisë në terren.

Më pas, oficeri i sallës njofton dhe vë në dijeni eprorin e punonjësit të policisë që ka vendosur gjobën, të cilit u dorëzohet dhe një kopje e procesverbalit.

Eprori është autoriteti i vetëm përgjegjës për verifikimin e saktësisë së procesverbalit dhe dorëzimit të tij në financë dhe sektorin operacional.

Rregullat e reja pasojnë ndryshimet në Kodin Rrugor dhe janë rregulluar një muaj më parë në bazë të një Udhëzimi të Ministrit të Brendshëm, dhe mban firmën e zëvendësministrit të Brendshëm Avenir Peka.

Në rastet e vendosjes së gjobave në mungesë udhëzimi e bën të detyrueshme njoftimin e pronarit të mjetit nëpërmjet Policisë së Shtetit dhe Postës, dhe kjo procedurë konsiderohet e vleshme kur kur konfirmohet njoftimi në adresën e dhënë të kundravajtësit.

Dërgimi i njoftimit zyrtar dhe saktësia e adresës për njoftimin i ngarkohet strukturës përkatëse policore ku është efektiv punonjësi i policisë që ka plotësuar procesverbalin e konstatatimit të shkeljes brenda 24 orëve.

Në rastet kur njoftimi i kundravajtësit nuk kryhet brenda 30 ditësh kalendarike nga konstatimi i shkeljes, sipas këtij udhëzimi nuk mund kërkohet për arkëtim, ndërsa vendos kryerjen e një analize të veçantë për përgjegjësit e masat përkatëse tek punonjësit e policisë.

Ndryshimet erdhën pas shqetësimeve të shumta nga drejtues dhe pronarë automjetesh për gjoba të vendosura në mungesë për shkelje të pakryera prej tyre apo në vënde ku nuk kanë qenë.

I njëjti udhëzim, përjashton punonjësit e Patrullave të Përgjithshme të Policisë nga vendosja e gjobave për shkelje të sinjalistikës, rripat e sigurimit dhe kaskat mbrojtëse, dhe duke u lënë vetëm nenet 155 dhe 156 të Kodit Rrugor që kanë të bëjnë me parkimet e gabuara.

Punonjësi i Patrullës së Përgjithshme në rast konstatimi të shkeljeve të tjera, njofton kolegët e policisë rrugore të cilët kanë atributin për përpilimin e procesverbalit.

Udhëzimi i jep më shumë kohë Patrullave të Përgjithshme për të monitoruar dhe menaxhuar situatat që lidhen me rendin dhe parandalimin e krimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›