Fshesa e gjyqësisë

Gjyqtarët dhe prokurorët e vendit duhet të dinë një fakt, se për të fituar ato pozita për të cilat kanë konkurruar, nuk ka vlejtur vetëm dija e tyre.
Në këtë rast, nuk ka qenë tërësisht kryesore as plotësimi korrekt i pyetjeve të shumta dhe mbushja e një dëngu formularësh.
Të gjithë këta gjyqtarë dhe prokurorë që kanë konkurruar, pa dijeninë e tyre, janë hetuar dhe vazhdojnë të hetohen për veprimet e bëra në të kaluarën e afërt.
Ata janë hetuar për vendimet e dyshimta gjyqësore që kanë mundur të shqiptojnë apo për hetimet gjysmake ose tendencioze që mund të jenë kryer.
Përveç kësaj, të gjithë këta gjyqtarë e prokurorë janë duke u hetuar edhe për dyshimet e tjera, për veprimet e mundshme që mund të kenë kryer në kundërshtim me ligjin.
Burime ndërkombëtare të Expressit tregojnë se hetimet nuk janë kufizuar vetëm tek disa gjyqtarë apo prokurorë, të niveleve të caktuara.
Këto hetime janë duke u bërë për të gjithë ata zyrtarë të këtij sistemi për të cilët ka pasur dhe ka dyshime për keqpërdorime.
“Njëri prej tyre i cili është hetuar e që nuk do të emërohet askund është edhe kryeprokurori aktual i Kosovës, Hilmi Zhitija”, thotë ky zyrtar për Express.
“Hetimet janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen edhe për gjyqtarë të tjerë, të niveleve të ndryshme, për secilin që dyshohet se ka kryer keqpërdorim të detyrës zyrtare”, thotë burimi i gazetës.
Këto hetime janë duke u bërë nga një grup i veçantë i Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës (KPGJP).
Ky grup hetuesish i përbërë nga ndërkombëtarë dhe vendorë, i quajtur si “Hetuesit e biografive”, (Background Invetigator ), nuk janë ndalur vetëm te dokumentet zyrtare.
Këta hetues kanë mbledhur të dhëna edhe nga mediet e shkruara dhe ato elektronike, përkatësisht, raportimet e tyre për veprimet e zyrtarëve të këtij sistemi.
Këto raportime përfshijnë kryesisht vitet e fundit kur sistemi i drejtësisë në vend ka qenë në qendër të kritikave të ashpra për dështime.
Peter Bach është drejtor i Sekretarisë së KPGJP, në biografinë e të cilit thuhet se me profesion është jurist, me përvojë 23-vjeçare.
“Faza e hetimeve nuk ka përfunduar ende”, thotë Bach, duke mos dashur të japë asnjë të dhënë se sa është numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët janë hetuar deri më tash.
“Nuk e di sa janë hetuar deri më tash. Mund të them se tash jemi në fazën e tretë të riemërimeve”, thotë Bach për Express, i cili ka punuar edhe si zëvendësdrejtor i projektit të riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Bosnje dhe Hercegovinë.
I tërë procesi i riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve është mbajtur shumë fshehtë dhe gjithçka ka qenë i fshehur pas numrave enigmatikë.
Askush nga opinioni nuk e di se kush ka konkurruar apo kush përzgjidhet, pasi i tërë procesi është mbajtur shumë i fshehtë.
Ky proces ka mbërritur në fazën e tretë, ku përfshihet emërimi i gjyqtarëve të Gjykatave të Qarkut dhe Prokurorëve Publikë.
Aktualisht, intervistat për pozitat në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në Prokurorinë Publike të Qarkut në Prishtinë dhe në Gjykatën Ekonomike në Prishtinë, do të vazhdojnë prej 11 janarit 2010.