E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet trajleri me 24 ton gaz, evitohet tragjedia



VLORE – Përplaset trajleri me 24 ton gaz të lëngshëm, evitohet tragjedia në Vlorë. Mjeti u përplas dje me një shtyllë elektrike në fshatin Nartë, e për pasojë ra në një kanal në anë të rrugës duke u përmbysur. Mbas aksidentit, drejtuesi i mjetit njoftoi menjëherë zjarrfikësen dhe policinë, të cilët mbërritën me urgjencë në vend. Frika e një rrjedhjeje dhe shpërthimi të gazit vuri në gatishmëri gjithë strukturat. Pas disa orësh nga ngjarja, u arrit që mjetit t’i hiqej një sasi e konsiderueshme e gazit nga cisterna dhe më pas u bë ngritja e saj me një vinç të tonazhit të rëndë. Specialistët bënë të ditur se rreziku i shpërthimit ishte evident. Gjatë përplasjes është parë edhe shkëndija e një harku elektrik, si pasojë e dëmtimit të shtyllës elektrike. Ekspertët në vendngjarje u shprehën se flakët dhe presioni goditës i gazit do të kishte përfshirë jo vetëm zonën e Nartës, por edhe qytetin e Vlorës, duke sjellë një tragjedi në përmasa të mëdha. Trajleri kishte ngarkuar cisternën me gaz në portin e Vlorës dhe po e dërgonte në depozitat e gazit në zonën e Nartës. Aksidenti ka ndodhur shumë pranë depozitave të gazit dhe të naftës, duke rrezikuar një shpërthim masiv të tyre. Një rol të rëndësishëm për të evituar shpërthimin e gazit kanë pasur valvulat shumë të sigurta të rrjedhjes së gazit. Sipas policisë, trajleri çisternë gazi i përket një firme private. Gjithashtu edhe depozitat i përkasin një firme private. Policia tha se aksidenti ndodhi për shkak të një defekti të mjetit të transportit. q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›