Meta: Keqardhje për grevën e urisë, por i ftoj për dialog
Erald Kapri
Zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Jashtëm, Ilir Meta, shprehu dje keqa-rdhjen për grevën e opozitës në sheshin qendror të kryeqytetit, por në të njëjtën kohë ftoi PS-në për dialog. Në një takim me të rinjtë e LRI-së së Tiranës, lideri i LSI-së, Meta, komentoi zhvillimet e fundit politike, duke shtuar se maxhoranca është e hapur për dialog. “Unë dua të shpreh keqardhjen time më të thellë për grevën e urisë që po zhvillohet nga disa kolegë deputetë dhe përkrahës të tyre të Partisë Socialiste në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’. Natyrisht që është e drejta e tyre të zgjedhin edhe këtë formë ekstreme të sakrificës për pretendimet që ata kanë, por kjo nuk më ndalon dot mua që t’i ftoj edhe një herë që të jenë bashkëpunues, që t’i ftoj përsëri për dialog me maxhorancën dhe me Qeverinë, për të realizuar të gjitha pretendimet e tyre”, deklaroi Meta. Ai kujtoi se mes qytetarëve shqiptarë ka një kontratë që është Kushtetuta e vendit, e cila duhet të respektohet. Sipas Metës, “është e rëndësishme pavarësia e gjykatave, është e rëndësishme të respektohet edhe mesazhi i Komunitetit ndërkombëtar. Pra, respektimi i transparencës, por edhe i Kushtetutës së vendit”. Meta tha më tej se mosrespektimi i institucioneve sjell kaos dhe rrënim të shtetit ligjor. “është e papranueshme për çdo politikan, aq më tepër për një kryetar të një force të rëndësishme politike që të thotë se “lirinë tonë nuk e çojmë në Gjykatë Kushtetuese.” Frymëzime të tilla çojnë në kaos, çojnë në rrënimin e shtetit të së drejtës, çojnë pikërisht në një rrugë të gabuar, e cila s’ka lidhje me rrugën demokratike ku vendi duhet të ecë, në rrugën e respektimit të Kushtetutës së gjithë shqiptarëve, në rrugën e respektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese edhe kur na pëlqejnë, por edhe atëherë kur ato nuk janë sipas dëshirave tona”, shtoi Meta. Sipas numrit dy të Qeverisë, “nuk mund të kontribuohet në interes të qytetarëve shqiptarë, në interes të atyre që janë në kushte më të vështira sot, duke u përpjekur për të nxirë në mënyrë të sforcuar dhe për më tepër aspak qytetare dhe atdhetare situatën ekonomike, apo duke goditur besueshmërinë e sistemit financiar dhe bankar në vend”. Kreu i LSI-së vuri theksin se të gjithë duhet të shohin përtej politikës së ditës. “është një interes kombëtar i të gjithë qytetarëve tanë, që është heqja e vizave dhe marrja e statusit të vendit kandidat si dhe anëtarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, deklaroi Meta.
Xhixho: Kontribut për integrimin
Të rinjtë e Lëvizjes Rinore për Integrim nga qyteti i Tiranës dhanë dje mbështetjen tyre për integrimin. Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, vlerësoi se LSI dhe lideri i saj, Meta, po japin një kontribut për integrimin e sa më shpejtë të vendit në BE. Nga ana tjetër edhe Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në LSI, Ardit çela, vlerësoi reformat për integrim, duke e vënë theksin se shumë shpejt do të liberalizohen vizat për qytetarët shqiptarë. Të rinjtë e kësaj force politike vunë theksin tek integrimi i vendit dhe kërkuan përshpejtimin e reformave.
Mbështetje dhe nga Presheva
Takimi i LRI-së u përshëndet dje nga Drenusha Asllani, një e re nga Presheva, e cila shprehu mirënjohjen e saj për vizitën e numrit dy të Qeverisë shqiptare, Ilir Meta, në këto troje pak kohë më parë. Takimi i moderuar nga Blerina Kazasesi, Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në LRI, u përshëndet nga të rinj të tjerë. Nga ana e tij lideri i LSI-së, Ilir Meta, ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje rinore. “është energjia juaj, ajo që nuk do të lejojë dhe nuk duhet të lejojë LSI-në që të marrë viruset e forcave të tjera politike kur vijnë në pushtet”, tha Meta.