E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhen ndeshjet e Superligës

Tifozët dhe simpatizuesit e futbollit në Kosovës duhet të presin edhe pak ditë për t’i parë skuadrat e tyre të zemrës në fushën e blerët, pas një pauze të gjatë.

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të premten ka vendosur që sezoni pranveror i Superligës së Kosovës - i paraparë të fillojë të dielën - të shtyhet deri të mërkurën.

Këtë vendim Komisioni i Garave e ka marrë pasi është sugjeruar nga Komisioni për Çështje Urgjente pranë FFK-së. Këta të fundit kanë pranuar kërkesa për shtyrje të garave nga shumica e klubeve të Superligës, pasi stadiumet e tyre janë në gjendje të mjerueshme si pasojë e motit të ligë që po mbretëron ditëve të fundit në vendin tonë.

“Sot (e premte) Komisioni për Çështje Urgjente ka mbajtur një mbledhje për të analizuar kushtet për fillimin e stinorit pranveror dhe ka ardhur në përfundim se, për shkak të motit të ligë dhe gjendjes së rënduar të fushave të futbollit si dhe duke pasur parasysh se shumica e skuadrave të Superligës kishin bërë kërkesë që të shtyhen ndeshjet, t’i sugjerojë Komisionit të Garave që ndeshjet e planifikuara për të dielën të shtyhen për të mërkurën”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Kështu, Komisioni i Garave shqyrtoi këtë sugjerim dhe mori vendim që ndeshjet e parapara për të dielën të zhvillohen të mërkurën në të njëjtën kohë dhe me persona të njëjtë zyrtarë”, thuhet ndër të tjera në këtë njoftim.

Express ka mësuar se skuadrat që është dashur t’i zhvillojnë ndeshjet si vendëse në xhiron e parë të stinorit pranveror si Flamurtari, Kosova e Vushtrrisë, Vëllaznimi, Ferizaj e KEK-u kanë bërë kërkesë në FFK që stinori pranveror të shtyhet.

Mirëpo, vendimi për shtyrjen e xhiros së 18 prapëseprapë nuk i ka kënaqur. Sipas drejtorit të përgjithshëm të Flamurtarit, Agim Hasani, kjo xhiro është dashur të shtyhet për një javë e jo deri të mërkurën.

“Është dashur që të shtyhet për një javë stinori pranveror e jo vetëm për tri ditë. Përmirësimi i kohës pritet të ndodhë vetëm prej të mërkurës e andej. Kështu që, edhe pse u shty, sikur mos m’u shty fare është”, ka thënë Hasani për Express.

Mirëpo, ka edhe klube të pakënaqura me vendimin e Komisionit të Garave për shtyrje të edicionit pranveror. Liria është njëra ndër to. Drejtori sportiv i këtij klubi, Hatmi Gashi, tha se nuk ka qenë e nevojshme shtyrja e fillimit të stinorit pranveror.

“Unë jam plotësisht kundër shtyrjes së sezonit, sepse për dy-tri ditë gjendja e fushave nuk ndryshon. Është dashur që xhiroja të fillojë. Të zhvillohen ndeshjet ku ka qenë e mundur të zhvillohen, kurse të shtyhen ato takime ku fushat nuk i plotësojnë kushtet për t’u zhvilluar loja. Ne jemi përgatitur dhe tani bëhet çrregullimi organizativ”, tha Gashi për Express.

Përveç skuadrës prizrenase, kundër shtyrjes së fillimit të sezonit pranveror ishin edhe drejtuesit e dy klubeve që po synojnë titullin e kampionit, Trepçës dhe Hysit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›