Shtyhen zgjedhjet parlamentare në Afganistan
Komisioni i Pavarur Zgjedhor në Afganistan ka konfirmuar se ka shtyrë deri në vjeshtë zgjedhjet parlamentare, për shkak të mungesës së fondeve, të sigurisë dhe për shkak të sfidave logjistike.
Komisioneri Fazel Ahmed Manavi deklaroi sot para gazetarëve se ky vendim gjithashtu ofron më shumë kohë në dispozicion për reforma zgjedhore-hap ky i cili me gjasë do të kënaqë shtetet perëndimore, të cilat kanë bërë trysni për ndryshime, pas zgjedhjeve presidenciale të cilat u karakterizuan nga manipulimet.
Manavi theksoi se zgjedhjet, të cilat ishin paraparë të zhvillohen më 22 maj, do të zhvillohen më 18 shtator.
Ligjvënësit amerikanë dhe kritikët tjerë kanë zhvilluar trysni për shtyrjen e zgjedhjeve, pas zgjedhjeve të kontestuara presidenciale, të cilat u zhvilluan në gusht të vitit të kaluar, duke tërhequr me këtë rast vërejtjen se zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare, pa reforma thelbësore elektorale, mund të minojë mbështetjen e SHBA-së për Afganistanin.
Zyrtarët afganë theksuan se Komisioni i Pavarur Zgjedhor ka marrë vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve, ngase i mungojnë 120 milionë dollarë, të cilat nevojiten për të financuar këto zgjedhje.
Vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve e konfirmoi edhe një zyrtar perëndimor. Kryetari i Komisionit, Ali Najafi, theksoi se ky organ ka nevojë për një donacion ndërkombëtarë prej 50 milionë euro, për të arritur shumën prej 120 milionë euro që nevojiten për financimin e zgjedhjeve.