Chavez mbyllë 6 televizione të opozitës
Një televizion i opozitës në Venezuelë, së bashku me pesë kanale tjera, janë hequr sot në mëngjes nga transmetimi, për shkak se kanë shkelur rregulloret e qeverisë së presidentit Hugo Chavez, ka deklaruar një zëdhënëse.
Me rregulloren e re nga të gjitha kanalet televizive kërkohet që të emetojnë fjalimet e Chavezit.
Zëdhënësja e kanalit të opozitës RCTV, Gladys Zapiain, theksoi se të gjithë ofertuesit kablovik në Venezuelë kanë ndërprerë transmetimin e këtij kanali dhe të pesë kanaleve tjera.
“Ne sa po jemi hequr nga transmetimi. Për këtë hap nuk na është tërhequr vërejtja paraprakisht”, deklaroi ajo.
Mario Seijas, kryetar i Odës së Venezuelës për televizion kablovik, theksoi se krahas RCTV është ndalur edhe transmetimi i kanaleve Ritmo Son, Momentum, America TV, American Network dhe TV Chile.
Ofertuesit kablovik arsyetuan vendimin e tyre për ndërprerjen e transmetimit, duke theksuar se televizionet në fjalë nuk i janë përmbajtur rregulloreve të qeverisë.
Kritikët e qeverisë fjalimet e Chavezit, të cilat nganjëherë zgjasin me orë të tëra, i cilësojnë si propagandë të qeverisë. Të shtunën, RCTV nuk emetoi fjalimin, të cilin Chavezi e mbajti para ithtarëve të tij në Karakas.