E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Europë tetë të vdekur nga antraksi në heroinë

Tetë persona kanë vdekur nga infektimi me antraks, pas përdorimit të heroinës për të cilin mendohet se ishte e kontaminuar, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore në Europë, ndërsa një ekspert i bëri thirrje konsumuesve të heroinës që t’i japin menjëherë fund përdorimit të këtij narkotiku.

Autoritetet besojnë se një sasi e heroinës, e cila është duke qarkulluar nëpër Europë, është e kontaminuar me antraks, lëndë kjo e cila shfrytëzohet edhe për prodhimin e armëve biologjike.

“Do të këshilloja të gjithë konsumuesit që t’i japin menjëherë fund konsumimit të këtij narkotiku dhe që të kontaktojnë shërbimet lokale për drogë”, deklaroi epidemiologu skocez, Colin Ramsay.

Te së paku 15 konsumues të heroinës në Skoci është zbuluar infektimi me antraks, me shtatë prej tyre që kanë vdekur.

Viktima e tetë ishte një mashkull 42 vjeçar në Gjermani, i cili vdiq nga infektimi me antraks në muajin dhjetor të vitit të kaluar, pasi që paraprakisht kishte konsumuar heroinë.

“Dyshohet se nëpër Europë tani është duke qarkulluar heroina e infektuar me antraks”, deklaroi Ministria gjermane e Shëndetësisë.

Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve theksoi se mundësia është shumë e madhe që të regjistrohen raste të reja të infektimit me antraks.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›