Pheniani kërcënon Seulin me luftë
Koreja e Veriut i është kërcënuar sot me luftë Koresë së Jugut, pasi që Seuli tërhoqi vërejtjen se do të ndërmarrë sulm parandalues, nëse Veriu përgatitë një sulm bërthamor-rrethi ky më i ri i luftës së fjalëve mes dy vendeve, përkundër shenjave të bashkëpunimit të përmirësuar në zonën e militarizuar mes dy vendeve.
Ushtria e Koresë së Veriut theksoi se do të ndërmarrë aksion të shpejtë dhe vendimtar kundër çfarëdo përpjekjeve të Koresë së Jugut për të cenuar dinjitetin dhe sovranitetin e Veriut dhe se do të hedh në ajër shënjestrat e rëndësishme në Jug, përfshirë këtu edhe qendrat komanduese.
“Forcat tona të armatosura revolucionare do ta cilësojnë skenarin “parandalues”, të cilin autoritetet kukulla në Jug e kanë adoptuar si politikë shtetërore, si një shpallje të hapur të luftës”, deklaroi shtatmadhoria e ushtrisë së Koresë së Veriut, në kumtesën e cila u publikua nga agjencia e lajmeve KCNA.
Pheniani këtë vërejtje e tërhoqi, pas deklaratës së Ministrit të Mbrojtjes së Koresë së Jugut, Kim Tae Young, i cili theksoi javën e kaluar se Seuli do të ndërmarrë sulme parandaluese, nëse ka indikacione të qarta se Pheniani është duke përgatitur një sulm bërthamor.